CDC pranon se COVID-19 mund të përhapet nga ajri, rishikon udhëzimet e saj

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po e pranon tani se COVID-19 mund të përhapet përmes grimcave të vogla në ajër që mund të qëndrojnë pezull deri në disa orë dhe nga një distancë e konsiderueshme.

CDC-ja ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se koronavirusi mund të përhapet kryesisht mes dy personave që janë dy metra larg njëri-tjetrit, përmes stërkalave nga i foluri, frymëmarrja, kola ose të tështirat.

Por agjencia i rishikoi udhëzimet në faqen e saj të internetit të hënën, duke përmendur të dhëna nga kërkime të mëparshme, sipas së cilave virusi mund të qëndrojë në ajër përmes grimcave të vogla të ajrit, të njohura si aerosole “në rrethana të kufizuara, të pazakonta”, kur dikush me COVID-19 infekton të tjerë duke qenë më shumë se dy metra larg, ose rrezikon të infektojë pak pasi personi i infektuar të jetë larguar.

Në këto raste, thotë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në udhëzimet e saj të rishikuara, përhapja e virusit ndodh në mjedise të mbyllura me qarkullim jo të mirë ajri, sidomos gjatë aktiviteteve që kërkojnë frymarrje të thellë, për shembull fizkulturë, apo kur personi këndon.

Muajin e kaluar CDC bëri një koment të ngjashëm për rrezikun e përhapjes nga ajri të koronavirusit, por e tërhoqi më pas, duke thënë se ishte postuar gabimisht para se t’i nënshtrohej analizës së duhur teknike.

Metoda se si transmetohet COVID-19, ka qenë në qendër të debatit për një kohë të gjatë mes ekspertëve të shëndetësisë. Në korrik, mbi 200 shkencëtarë nga mbi 30 vende botuan një letër të hapur drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e duke e nxitur atë të shqyrtonte të dhënat se virusi mund të përhapej përmes ajrit./VOA

SHKARKO APP