Çdo 16 sekonda në botë humb jetën 1 foshnjë gjatë lindjes

Gratë që jetojnë në vendet e varfra, janë pjesë e një minoriteti apo nuk kanë arsimimin e duhur, janë më të rrezikuarat të dështojnë në muajt e shtatzënisë.

Sipas një studimi të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, në botë çdo 16 sekonda lind një fëmijë pa jetë nga barku i nënës apo gati 2 milionë raste të tilla çdo vit.

Vendet në zhvillim e sipër, me të ardhura të ulëta ose të mesme, përbëjnë 86 për qind të gjithë këtyre tragjedive si pasojë e moskujdesit dhe sistemeve të dobëta shëndetësore.

Në shtetet e industrializuara, 1 në 335 foshnja në vitin 2019 lindën të vdekura pas 28 javëve shtatzëni, raport ky që shkoi 1 në 44 në vendet e varfra, kryesisht të Afrikës Nënsahariane dhe të Azisë Jugore.

Për Shqipërinë, studimi i UNICEF-it konstanton një përgjysmim të raportit të vdekshmërisë fetale në krahasim me njëzet vite më parë.

Në vitet 2000, vendi raportonte 6,4 dështime apo 329 raste për 1 mijë lindje, 4,6 foshnja apo 161 raste në vitin 2010, dhe 4,1 vdekje apo 137 raste për 1 mijë lindje në vitin 2019.

Ky raport është i njëjtë me Maqedoninë Veriore fqinje, ndërsa në shkallë rajoni, përveç Serbisë që paraqitet më keq, Greqia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia secila raporton më pak se 3 foshnja të lindura pa jetë në çdo 1 mijë lindje.

Me mbingarkimin e sistemeve të kujdesit spitalor për shkak të pandemisë së kovidit-19, priten që raporti globale i vdekjeve fetale këtë vit rrezikon të rritet.

UNICEF apelon për forcimin e sistemeve shëndetësore nga qeveritë, rritjen e kujdesit për gratë dhe vajzat që në adoleshencë, gjatë shtatzënisë dhe ndjekjen e objektivave të qartë shtetërorë rreth kësaj problematike të shëndetit publik.

SHKARKO APP