CDU: Gjermania të jetë gati të presë fluks refugjatësh nga Afganistani

Në Gjermani, kreu i partisë CDU, Armin Laschet i cili shpreson të pasojë kancelaren Angela Merkel tha se nga Afganistani duhet të evakuohen të gjithë ata që iu rrezikohet jeta pasi talebanët morën pushtetin. Zoti Laschet po ashtu paralajmëroi se vendi duhet të ishte gati të priste fluks refugjatësh dhe të sigurohej që ishte i përgatitur më mirë sesa në vitin 2015.

Në Berlin, politikanët gjermanë bënë thirrje për një evakuim më të madh të civilëve nga Afganistani.

Kreu i partisë CDU, Armin Laschet i cili shpreson të pasojë kancelaren Angela Merkel, tha se është e pamjaftueshme që operacionet e evakuimit nga Afganistani të përqëndroheshin vetëm tek qytetarët dhe personeli gjerman në Kabul, pasi talebanët rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.

“Ushtria gjermane është në terren në mënyrë që të nxjerrë personelin vendas. Dhe është e rëndësishme që t’i bëjë këto operacione për aq kohë sa do duhet. Së dyti, këto operacione nuk duhet të jenë vetëm për personelin vendas dhe qytetarët gjermanë që janë akoma në Afganistan, por edhe për gratë aktiviste, për aktivistët e të drejtave të njeriut”, tha zoti Armin Laschet për mediat në Berlin.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Gjermanisë mund t’i duhet të evakuojë deri në 10 mijë njerëz nga Afganistani. Këtu përfshihen 2500 punonjës afganë, si dhe disa qindra aktivistë të të drejtave të njeriut, avokatë etj që janë të rrezikuar nëse qëndrojnë në Afganistanin e kontrolluar nga talebanët.

Zoti Laschet po ashtu paralajmëroi se vendi duhet të ishte gati të priste fluks refugjatësh dhe të sigurohej që ishte i përgatitur më mirë sesa në vitin 2015.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur për refugjatët që do vijnë drejt Evropës. Dhe këtë herë ne duhet të sigurojmë ndihma humanitare për rajonin, për vendet e origjinës, në kohë. 2015 nuk duhet të përsëritet”, theksoi zoti Laschet.

Ndërkohë udhëheqësja e Partisë së Gjelbër duke folur gjatë një vizite në Frankfurt tha se Ministria e Jashtme e Gjermanisë ishte e papërgatitur për këtë situatë edhe pse prej kohësh ishte paralajmëruar një përshkallëzim i situatës.

Shumë vende evropiane nxituan të largonin personelin e tyre nga Kabuli, ndërsa talebanët u futën për më pak se 24 orë në kryeqytetin e vendit.

Talebanët sunduan Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001 me një formë të ashpër të ligjit islamik. Gratë ishin kryesisht të mbyllura në shtëpitë e tyre dhe kriminelët e dyshuar u përballën me prerje gjymtyrësh ose ekzekutim publik.

Talebanët janë përpjekur të paraqiten si më të moderuar, por shumë afganë nuk u besojnë këtyre zotimeve dhe kanë frikë për të drejtat e tyre./voa

SHKARKO APP