CDU-ja e Merkelit para testit, menaxhimi i pandemisë ul shanset e konservatorëve për fitore
CDU-ja e kancelares, Angela Merkel, po matet sot politikisht me rivalët në dy lande të Gjermanisë. Masat dhe menaxhimi i pandemisë i kanë zbehuar premisat e konservatorëve në zgjedhje. Eksitpollet e para priten pas orës 18.
Gjermanët i janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar drejtuesit rajonalë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 26 shtatorit.
Gara e së dielës po zhvillohet në dy njësi federale, në Rajnland-Pfalc dhe në Baden-Vyrtemberg.
Ato pritet të tregojnë trendin e pushtetit politik dhe mbështetjen për aleancën CDU-CSU që tani ka pushtetin.
Sondazhet zbulojnë se ka pak pëlqyeshmëri për konservatorët e kancelares, Angela Merkel.
Për herë të parë pas 15 vitesh, ajo nuk është më në krye të partisë për të drejtuar fushatën.
CDU-ja është përballë katastrofës, shkroi në fundjavë në kryetitull, gazeta “Bild”.
Partitë qeverisëse pritet të vuajnë pasojat e menaxhimit të pandemisë, skandalet e fundit të korrupsionit me maskat, por edhe vonesat me fushatën e vaksinimit.
“Është bërë shumë pak. Është bërë pak për shkollat, për kopshtet dhe për stafin mjekësor.”
“Shumë njerëz nuk kanë për të mbijetuar dot ekonomikisht. Ka shumë dyqane boshe dhe nuk i dihet si do jetë në dy apo tre vite, me falimentet.”
Në Rajnland-Pfalc, socialdemokratët rezultojnë para CDU-së dhe pritet të formojnë një tjetër koalicion me të Gjelbrit, ndërkohë ambientalistët kanë rritur avantazhin kundrejt konservatorëve edhe në landin e Baden-Vyrtembergut.