CNN: Vendi që të ofron 3.000 dollarë nëse infektohesh me Covid!
Pas kaq muajsh pa të ardhura nga turizmi, destinacione në mbarë botën po bëjnë ç’është e mundur për të tërhequr vizitorët e frikësuar prej pandemisë së koronavirusit.
Cancuni në juglindje të Meksikës ka nisur fushatën “2 në një” me dy netë qëndrimi falas për çdo dy netë të paguara dhe rimbursim për një biletë avioni që klientët të marrin dikë me vete.
Në Tajlandë, hoteli i luksit Cape Fahn, ofron super oferta për vilat e tij të shtrenjta me pishina. Bullgaria nuk u merr para të huajve për çadrat e plazhit dhe shezlongët; në Gjenevë është ndërmarrë nisma “Geneva Boxes”, e cila sjell paketa me qëndrim në hotel dhe eksperienca në qytet me ulje deri në 65%.
Por që t’i bindë vizitorët se është një destinacion i sigurt, Uzbekistani ka shkuar deri aty sa të ofrojë një pagesë të majme për vizitorët që infektohen nga koronavirusi gjatë pushimeve atje. Për turistët që preken nga Covid-19 ndërsa pushojnë në këtë vend, premtohet shuma e 3.000 dollarëve.