Covid-i dhe fëmijët! SHBA studion nivelin e infektimit
Instituti Kombëtar i Shëndetit konfirmoi se një studim për të ndihmuar në përcaktimin e shkallës së infeksionit të fëmijëve me COVID-19 në SHBA dhe familjeve të tyre ka filluar regjistrimin e pjesëmarrësve.
Studimi, i quajtur “Epidemiologjia njerëzore dhe reagimi ndaj SARS-CoV-2” ose HEROS, është i financuar tërësisht nga qeveria dhe sponsorizuar nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, i cili është pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit. Studimi do të përpiqet të vlerësojë sa është përqindja e fëmijëve të infektuar me SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, që zhvillojnë simptoma të sëmundjes. Studimi HEROS do të kërkojë gjithashtu të përcaktojë nëse niveli i infeksionit viral ndryshon mes fëmijëve me gjendje alergjike ose astmë dhe atyre që nuk i kanë ato.
“Një tipar interesant i kësaj pandemie është se shumë pak fëmijë janë sëmurë me COVID-19 në krahasim me të rriturit”, tha Dr. Anthony Fauci. Fauci tha se studimi do të përcaktojë nëse arsyeja që fëmijët, mesatarisht, kanë më pak të ngjarë të sëmuren me COVID-19 është se ata janë rezistent ndaj infeksionit apo sepse janë të infektuar, por nuk zhvillojnë simptoma.
Gjashtë mijë njerëz nga 2,000 familje amerikane në 11 qytete po marrin pjesë tashmë në studime të kërkimit pediatrik dhe së shpejti do të regjistrohen në studimin e ri HEROS. Ekipi i studimit pritet të ndjekë këto familje në distancë për gjashtë muaj për të konstatuar se kush infektohet nga virusi, dhe nëse virusi transmetohet te anëtarët e tjerë të familjes dhe cilët anëtarë të familjes me virus përfundojnë të zhvillojnë simptoma të COVID-19. Studiuesit besojnë se të dhënat e mbledhura nga ky studimi do të ndihmojnë në plotësimin e këtij hendeku të njohurive dhe do të ofrojnë më shumë informacion se si të bëhen ndërhyrjet në shëndetin publik.