COVID i la të papunë, gjysma e amerikanëve paguhen më shumë tani, ja të dhënat

Rreth gjysma e miliona punëtorëve amerikanë të pushuar për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të rezultojë se do të fitojnë më shumë në total tani sesa kur ishin në punë, tregojnë analizat e reja të përfitimeve nga asistenca për papunësinë.

Si pjesë e përpjekjes për rimëkëmbjen e Shteteve të Bashkuara, qeveria po dërgon 600 dollarë shtesë në javë për punëtorët e pushuar nga puna deri në fund të korrikut. Kjo shumë i shtohet pagesa të ndryshme të papunësisë, të paguara normalisht, të cilat variojnë së tepërmi nga shteti në shtet.

Mesatarisht, shtetet u paguajnë punëtorëve të mbetur papunë 45% të shumës që fitonin. Por me pagesat shtesë të koronavirusit, Departamenti i Punës thotë se pagesa duhet të rritet gjatë javëve të ardhshme nga mesatarja prej 377,97 dollarë në javë që ishte paguar në fund të vitit të kaluar, në 978 dollarë.

Ndërsa pagesa shtesë do t’i ndihmojë të papunët në periudhën afatshkurtër, rritja e pagesës mund ta ngadalësojë rrjedhimisht rimëkëmbjen e Shteteve të Bashkuara.

Punëtorët e pushuar që fitojnë më shumë pa punë nuk do të kenë asnjë nxitje monetare të menjëhershme për t’u rikthyer në punë nëse punëdhënësit e tyre janë në gjendje të rihapin dyqanet me pakicë, restorantet, fabrikat dhe bizneset e tjera para fundit të korrikut.

Qeveria thotë se gjysma e punëtorëve amerikanë fituan më pak se 957 dollarë në javë në tremujorin e parë të vitit 2020, që do të thotë se më pak se gjysma e tyre ka marrë të ardhura prej 50,000 dollarë në vit.

Nga ana tjetër, punëdhënësit mund t’i detyrojnë në mënyrë efektive punëtorët të kthehen, duke i caktuar një datë kthimi në punë për punëtorët e pushuar, qoftë edhe përpara se pagesa prej 600 dollarësh në javë të skadojë në fund të korrikut.

Punëtorët mund t’u kërkojnë punëdhënësve që t’i lejojnë ata të qëndrojnë të pezulluar deri në korrik, në mënyrë që ata të vazhdojnë të marrin kompensimin për papunësinë, që do të jetë më i lartë se rroga.

Deri më tani, 26 milionë punëtorë amerikanë janë pushuar nga puna – një valë papunësie që nuk është parë në Shtetet e Bashkuara që nga Depresioni i Madh i viteve 1930. Miliona të tjerë janë shtuar në listat e papunësisë gjatë pesë javëve të fundit çdo të enjte, kur qeveria njofton shifrat e saj.

Përpara se pandemia të goditste në Shtetet e Bashkuara, shkalla e papunësisë për ekonominë më të madhe në botë ishte për muaj me radhë në më pak se 4%. Por, kur shifra e muajit prill të shpallet më 8 maj, ka të ngjarë të arrijë në nivele të konsiderueshme dyshifrore./VOA

SHKARKO APP