DASH: Të shqetësuar për ngjarjet në Maqedoni

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jeff Rathke i bëri thirrje opozitës maqedonase që të kthehet në Parlament.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet në Maqedoni dhe së bashku me partnerët evropianë, janë në konsultime të ngushta me qeverinë në Maqedoni dhe liderët politikë atje për të shprehur shqetësimet mbi krizën aktuale politike”.

Në takimin me gazetarët në Uashington, zëdhënësi Rathke ka përcjellur thirrjen drejtuar të gjitha palëve në Maqedoni për të respektuar të drejtën e lirisë për t’u mbledhur dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, dhe njëkohësisht për t’u përmbajtur nga dhuna.

Ai ka thënë gjithashtu se nga autoritetet është kërkuar të merren me pretendimet për keqbërje nga ana e qeverisë të cilat janë shpërfaqur së fundmi, kurse nga opozita është kërkuar të kthehet në Kuvend që të mbikëqyrë në kuptimin parlamentar institucionet qeverisëse të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe komisionin hetimor që do të merrej me zbulimet e fundit.

Zëdhënësi i DASH-it ka përshëndetur vendimin e javës së kaluar të qeverisë maqedonase për të zëvendësuar ministrat dhe zyrtarët e implikuar, por njëkohësisht ka shprehur besimin se liderët e Maqedonisë duhet të punojnë bashkërisht dhe të angazhohen në dialog mbi çështjet të cilat gjenden përballë këtij vendi, përfshirë këtu reformat e domosdoshme dhe krizën aktuale politike.

SHKARKO APP