David Cameron: Lufta ndaj korrupsionit të thellohet, si me FIFA-n

Kryeministri britanik David Cameron bën thirrje për aksion global kundër “kancerit” të korrupsionit, pas skandalit të FIFA-s që kulmoi me dorëheqjen e Presidentit Blatter.

Sipas BBC, Cameron do ta përdorë samitin e G7-s në Gjermani për të kërkuar përpjekje ndërkombëtare për pastrimin e qeverive dhe bizneseve.

Gjithashtu, ai pritet të dënojë “tabunë” ndërkombëtare të drejtimit të gishtit tek institucionet e korruptuara. Zyrtarë britanikë kanë deklaruar se, Cameron do të flasë për “kancerin e korrupsionit që helmon dhe i zë frymën” progresit që grupimi G7 shpreson të bëjë me zhvillimin dhe rritjen ekonomike.

Gjithashtu, ai do të kërkojë që metoda e hetimit që u bë mbi FIFA-n të mos kufizohet vetëm tek organi qeverisës i futbollit. Gjithsesi, ai nuk pritet të përmendë emrat e organizatave dhe bizneseve që do të donte t’i shihte nën hetim.

Duke folur përpara samitit, zoti Cameron tha se çështjet që kanë të bëjnë me FIFA-n janë një mundësi për një mësim të mirë për frenimin e korrupsionit.

“Njësoj si me FIFA-n, ne e dimë që problemi është aty, por për shkak të një tabuje ndërkombëtare nuk mund të drejtojmë gishtin. Në një samit ndërkombëtar liderët takohen për të folur për rritjen ekonomike dhe për ruajtjen e sigurisë së popujve tanë. Por ne nuk flasim mjaftueshëm për korrupsionin. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duhet të tregojmë të njëjtën kurajo që ekspozoi FIFA-n dhe ta thyejmë këtë tabu”, deklaroi Cameron.

Në samitin e G7-s do të marrin pjesë Presidenti amerikan Barack Obama, ai francez Francois Hollande, Kryeministri italian, Matteo Renzi, ai kanadez Stephen Harper dhe japonezi Shinzo Abe. Eventi do të mbahet në Alpet e Bavarisë, nën kujdesin e Kancelares Angela Merkel.

SHKARKO APP