Demokratët duan ta shkarkojnë, Donald Trump: Është qesharake

Presidenti në detyrë i SHBA-së, Donald Trump, e quan qesharake përpjekjen e demokratëve për ta shkarkuar para inagurimit të Joe Biden si President. Pasi doli nga Shtëpia e Bardhë për t’u nisur në Teksas, Trump e quajti përpjekjen për shkarkim të Dhomës së Përfaqësuesve një “vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi të hënën një rezolutë për gjykimin e presidentit Donald Trump, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”. Demokratët që udhëheqin këtë dhomë të Kongresit amerikan, e fajësojnë Trumpin për nxitje të trazirave, javën e kaluar, në Kongres.

Pesë vetë kanë mbetur të vdekur, pasi mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit dhe janë përplasur me policinë. Të martën duke komentuar këto zhvillime, Trump tha se “ne nuk duam asnjë dhunë”. Procedura për shkarkimin e presidentit që në anglisht njihet si “impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”. Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces të impeachment-it. Senati, megjithatë, ka votuar kundër shkarkimit të presidentit.

SHKARKO APP