Demokratët kërkojnë dënimin e Trump ose dhuna mund të përsëritet
Senati amerikan përmbylli të enjten parashtrimin e akuzave kundër ish-presidentit Donald Trump, me konkluzionin se ai duhet të mbajë përgjegjësi për revoltën e 6 janarit.
Dita e tretë e gjyqit politik kundër republikanit nxori sërish në podium demokratët duke komentuar pamjet dramatike të asaj dite dhe qëndrimet publike të ish-presidentit që i nxitën ato.
Përplasjet në godinën e Kongresit amerikan lanë 5 viktima.
“Të gjithë ata që u arrestuan dhe u proceduan, po japin llogari për veprimet. Udhëheqësi i tyre, ai që i shtyu ata, po ashtu duhet të japë llogari,” tha Diana DeGette, përfaqësuese e SHBA.
“Si mund të presim që kryetari i shtetit tonë të na mbrojë, të na respektojë neve dhe Kushtetutën kur nuk e vëmë para përgjegjësisë në rrethana të tilla. A ka njeri që beson se sikur Donald Trump të ulet prapë në zyrën ovale, nuk do të nxitë sërish dhunë? A duhet ta rrezikojmë demokracinë tonë,” tha Jamie Raskin, menaxher i Dhomës, përfaqësues i SHBA.
Revolta në Kapitol më 6 janar erdhi pasi ish-presidenti Trump dhe simpatizantët nuk pranuan humbjen e tij në zgjedhje.
Të premten, Senati do u lë hapësirë avokatëve të 74-vjeçarit që të paraqitin provat në mbështetje të tij.
Paraprakisht ata kanë thënë se ish-presidenti nuk mund të dënohet politikisht, pasi prej 20 janarit ai nuk ka më pushtet.
Shumica e senatorëve republikanë po ashtu kanë deklaruar se nuk e përkrahin procedimin e ish-kryetarit të tyre.