Dëmshpërblimi për Kumanovën, 70 mijë € për policët e vrarë. 1600 € çdo familjeje shqiptare
Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të dëmshpërblejë me nga 70 mijë euro familjet e oficerëve të policisë të mbetur të vrarë në aksionin e fundjavës në Kumanovë.
Pas një mbledhje të mbajtur një natë më parë, 11 maj, kabineti Gruevski vendosi gjithashtu kompensimin e të gjtihë pjestarëve në operacionin në lagjen e Trimave.
Kështu, pjestarët e policisë të mbetur të plagosur, në varësi të shkallës së lëndimit do të marrin nga 15 deri në 40 mijë euro, ndërsa të gjithë oficerët e forcave speciale që mbështetën sulmin në terren dhe nga ajri do të marrin një shpërblim prej 10 mijë eurosh për kokë.
Përverç policëve, kompensim pritet të marrin edhe familjet të cilave iu shkatërruan banesat gjatë luftimeve të fundjavës.
Paraprakisht çdo familje do të marrë nga 1600 euro, ndërsa grupet e vlerësimit të dëmeve, të përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe Komunës së Kumanovës, brenda 7 ditëve do të dorëzojnë raportin përfundimtar mbi dëmet e shkaktuara, që sipas premtimit të qeverisë do të dëmshpërblehen 100%.
Për të kundërshtuar operacionin e policisë, që sipas raportimeve zyrtare shkaktoi 22 viktima, qindra qytetarë u mblodhën para godinës së qeverisë në Shkup pasditen e të hënës, duke ndezur qirinj në kujtim të të vrarëve.
Banorët maqedonas të Shkupit, që pothuajse çdo ditë mblidhen për të kërkuar dorëhqeqjen e Gruevskit, i bënë thirrje shqiptarëve që t’iu bashkohen në këtë kauzë.
“Jam shumë e kënaqur që të gjithë qytetarët e Maqedonisë e shohin këtë si një mundësi për t’u bashkuar dhe për të mos u ndarë nga propaganda”
“Jemi këtu me miqtë tanë shqiptarë dhe komunitetet e tjera etnike, dhe jemi të gjithë të bashkuar për të luftuar për liri dhe demokraci, të cilën e meritojmë”
Ndërkohë që popullariteti i Gruevskit është në rënie të lirë, një protestë masive pritet të zhvillohet nga opozita e kryesuar nga lideri Zoran Zaev, më 17 maj.