Dënimi me vdekje? Erdogan: E do populli
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se ekziston mundësia që në Turqi të kthehet dënimi me vdekje pas përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik nga një pjesë e ushtrisë së vendit.
Lideri turk në fakt reagoi ndaj një kërkese që bëhej sipas tij nga turma e njerëzve që merrte pjesë në varrimin e disa prej viktimave që u vranë gjatë përballjes me pjesëtarët e ushtrisë që tentuan marrjen e kontrollit mbi shtetin.
“Ne e duam dënimin me vdekje“, ishte thirrja që bëhej në kor nga njerëzit që merrnin pjesë në këtë ceremoni varrimi.
Presidenti turk tha se “në një demokraci, nuk mund të injorojmë kërkesën e popullit – kjo është e drejta juaj. Kjo e drejtë duhet të analizohet nga autoritetet e duhura në raport me Kushtetutën dhe një vendim do të merret”, ka thënë Erdogan në fjalimin e tij që është transmetuar drejtpërdrejt në televizionet turke.
Ai tha gjithashtu se qeveria do të diskutojë këtë propozim edhe me partitë opozitare.
Turqia hoqi dënimin me vdekje në vitin 2004 si kërkesë e BE-së dhe nuk ka ekzekutuar asnjë të dënuar që prej vitit 1984.
Dënimi me vdekje kërkohet për mbi 6 mijë persona që deri në mbrëmjen e së dielës janë arrestuar me dyshimin se kanë qenë pjesëmarrës në realizimin e grushtshtetit të dështuar të 15 korrikut.
“Në çdo nivel të qeverisë, periudha e pastrimit të virusit do të vazhdojë. Të nderuar vëllezër, ky virus është përhapur tej mase si virus kanceri, fatkeqësisht është përhapur në tërë qeverinë”, u ka thënë Erdogan të pranishmëve në ceremoninë e varrimit që është mbajtur në Stamboll.
KOHA JONË SONDAZH

