Dështon propozimi i opozitës në Kosovë për masa kundër rritjes së çmimeve
Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë të martën një rezolutë të propozuar nga opozita për uljen e taksave dhe marrjen e masave për të mbështetur qytetarët dhe bizneset nga rritja e çmimeve që ka goditur vendin në muajt e fundit.
Si shumë vende të tjera, edhe Kosova është përballur me një rritje të theksuar çmimesh, sidomos në javët e fundit pas nisjes së ofensivës së Rusisë në Ukrainë.
Rezoluta e paraqitur nga partitë opozitare kërkonte nga qeveria që të përgatisë një paketë fiskale, që mundëson uljen e taksave të karburantit për tre muajt e ardhshëm, për produkte bazë të ushqimit dhe për transportin e udhëtarëve.