Dhjetëra të vdekur nga rrëzimi i avionit turk
Një avion turk i mallrave u rrëzua pranë aeroportit kryesor të Kirgizisë të hënën në mëngjes, duke vrarë 37 njerëz, përfshirë edhe fëmijë.
Avioni u rrëzua në një zonë të populluar, derisa po përpiqej të ateronte përmes mjegullës së dendur, thanë autoritetet e Kirgizisë. Në mesin e viktimave janë edhe katër anëtarët e ekuipazhit.
Boeing 747 u përplas në shtëpitë në fshatin Dacha-Suu pranë aeroportit Manas, rreth 25 kilometra në veri të kryeqytetit, Bishkek, në orën 7 e 30 sipas kohës lokale.
Sipas administratës së aeroportit, avioni ishte duke bërë një ndalesë në Manas, në rrugën e tij nga Hong Kongu për në Stamboll të Turqisë.
Përplasja dëmtoi të paktën 15 shtëpi në fshat, njoftoi ministria e shërbimeve emergjente të Kirgizisë, duke shkaktuar zjarre që tani janë të lokalizuara.
Aeroporti Manas është mbyllur dhe fluturimet janë anuluar deri në mbrëmje, njoftojnë autoritetet e aeroportit.
KOHA JONË SONDAZH

