Dikur ua mori me dhunë ushtria jugosllave, shqiptarët në Malin e zi arrijnë fitoren e rëndësishme: U kthehen pronat në Valdanos të Ulqinit
Me iniciativën e deputetit shqiptar, Genci Nimanbegu, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar Ligjin për kthimin e pronës së Valdanosit ish pronarëve.
Shqiptarët në Mal të Zi sot kanë arritur një fitore në përpjekjet e tyre për t’i rikthyer pronat që ua mori ushtria jugosllave.
Në Parlamentin e Malit të Zi, me 49 vota pro, asnjë kundër e abstenim, sot është miratuar ligji special për kthimin e pronave me ullishta në Valdanos të Ulqinit.
Me këtë ligj, të cilin e ka propozuar deputeti i Listës shqiptare Genci Nimanbegu, mbarojnë kalvaret gati 30 vjeçare të ulqinakëve të cilëve këto prona iu janë marrë në vitin 1978 nga Ushtria e Jugosllavisë.
Kthimi i kësaj ullishte në zonën më atraktive të Ulqinit ka qenë një kërkesë politike e shqiptarëve në Mal të Zi dhe me këtë, pas Komunës së Tuzit, shqiptarët e Malit të Zi realizojnë edhe një kërkesë madhore politike në vend.
Vendimin e ka përshëndetur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili përmes një postimi në facebook, ka falënderuar deputetin Nimabegu për betejën e tij në Parlamentin malazez
“Të nderuar qytetarë,
Mbas rikthimit të statusit të Komunës së Tuzit, sot është një ditë e shënuar për të gjithë popullin shqiptarë në Mal të Zi.
Deputeti jonë në parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu në emër të shqiptarëve si dhe në emër të Listës shqiptare dorëzoj në Kuvend propozimin e ligjit për kthimin e pronës së Valdanosit ish pronarëve.
Përgëzoj Gencin, i cili luftoi deri në fund që kjo ditë të vinte dhe toka t’u kthehej pronarëve.
Me ketë rast falënderoj të gjithë deputetetët që votuan dhe përkrahën propozim ligjin për kthimin e ullishtës së Valdanosit!
Ishte betejë e gjatë, por nga e cila nuk u tërhoqëm kurrë, siç nuk jemi tërhequr as nga Komuna e Tuzit, as nga shumë çështje të tjera, të cilat shkelin të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.