Disa muaj me “vonesë”, Japonia pritet të shpallë gjendjen e emergjencës
Pjesa më e madhe e Japonisë do të hyjë në gjendjen e emergjencës të martën, ndërsa vendi mundohet të mbajë nën kontroll epideminë e koronavirusit.
Masat vijnë disa muaj pas regjistrimit të rasteve të para në vend.
Kryeministri Shinzo Abe tha se “aktiviteti bazë ekonomik” do të vazhdojë në Tokio, Kanagaëa, Saitama, Chiba, Osaka, Hyogo dhe Fukuoka, shtatë prefekturat e prekura, me transport publik dhe supermarkete të hapura, por u bëri thirrje njerëzve të praktikojnë distancimin social dhe të shmangin udhëtime të panevojshme.
Gjendja e jashtëzakonshme, që pritet të shpallet zyrtarisht në një konferencë për shtyp të martën, do të zgjasë përafërsisht një muaj, shkruan abcnews.al
Kujtojmë këtu se deri më tani, Japonia numëron 3,906 të infektuar dhe 92 viktima.
Kryeministri Abe është përballur me kritika për mos aktivizimin e masave emergjente më herët, pasi ekspertët paralajmëruan se numri i vërtetë i rasteve mund të ishte shumë më i lartë nga ai që pasqyrohet në statistikat zyrtare. Shkak mendohet të jetë mos testimi i popullatës në masë.