“Disa shtete, duhet të hapin thesin” – Lagarde i bën thirrje Gjermanisë dhe Holandës për shpenzime
Christine Lagarde, presidentja e ardhshme e Bankës Qendrore Europiane, tha se vendet e Eurozonës që kanë sufiçite të mëdhenj buxhetorë, duhet të investojnë më shumë për të nxitur rritjen ekonomike. Gjatë një interviste pak ditë përpara se të marrë detyrën e saj të re në krye të institucionit në Frankfurt, Lagarde përmendi Gjermaninë dhe Holandën si vendet që duhet të përdorin sufiçitet për të shpenzuar më shumë.
“Vendet që kanë hapësirë buxhetore, nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të rritur shpenzimet. Po flas për vende që kanë aktualisht sufiçite të mëdha buxhetore, si Gjermania dhe Holanda. Pse të mos përdoret ky sufiçit për të investuar në infrastrukturë, sektor që ka nevojë për investime, apo edukim dhe inovacion”, u shpreh ajo.
Ekzistojnë konflikte brenda Eurozonës, që janë reflektuar edhe në bordin e Bankës Qendrore Europiane, për mënyrën se si të nxitet rritja ekonomike, që ndodhet ende në ngadalësim një dekadë pas krizës botërore financiare. Disa shtete në Eurozonë mbështesin qasjen konservatore, duke u mbështetur kryesisht tek politikat monetare. Vende të tjera si Franca, që është edhe origjina e Lagarde, mendojnë se duhen rritur investimet publike.