Disa të plagosur nga sulmet ruse me dronë në perëndim të Ukrainës

Së paku 16 njerëz janë plagosur në rajonin Kmelnitski në perëndim të Ukrainës të mërkurën, si pasojë e sulmeve ruse me dronë.

Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë se lëndimet ndodhën nga copëzat e dronëve rusë të rrëzuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

“Në rrethinën Sepetivka, rrëzimi i caqeve ajrore bëri që copëzat e tyre të binin në territorin e një infrastrukture kritike”, tha nënkryetari i administratës rajonale, Serhiy Tyurin, të mërkurën.

Ai tha se një ndërtesë administrative, ndërtesat e banimit dhe veturat u dëmtua nga një shpërthim.

Gjashtëmbëdhjetë persona nga ndërtesat përreth u lënduan, shtoi ai.

Rusia i kreu sulme me 11 dronë kamikazë në Ukrainë gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës të mërkurën në mëngjes. Të gjithë dronët u rrëzuan, tha ushtria në Kiev.

Falë ndihmës nga Perëndimi, Ukraina ka qenë në gjendje ta luftojë pushtimin e plotë rus tash e 20 muaj.

Vitin e fundit, Rusia i ka sulmuar rregullisht edhe caqet civile me raketa dhe dronë.

Caqet shpesh janë ndërtesat për furnizimin me rrymë, ngrohje dhe ujë për popullsinë. REL

SHKARKO APP