“Do jetë 10 herë më i madh se Pentagoni”. Financial Times: Kina po përgatit godinën më të madhe ushtarake në botë

Ushtria e Kinës po ndërton një kompleks masiv në Pekinin perëndimor, për të cilin inteligjenca amerikane beson se do të shërbejë si një qendër komandimi në situatë lufte.

Sipas Financial Times, imazhet satelitore të shqyrtuara nga agjencitë e inteligjencës amerikane tregojnë një kantier ndërtimi që mbulon një sipërfaqe prej rreth 1500 hektarësh, 30 kilometra në jugperëndim të Pekinit.

Ekspertët ushtarakë thonë se në këtë zonë do të strehohen udhëheqësit ushtarakë kinezë gjatë çdo konflikti, përfshirë një luftë potenciale bërthamore.

Po ashtu, disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë thonë se qendra komanduese ushtarake që po përgatit Kina do të jetë më e madhja në botë dhe të paktën 10 herë më e madhe se Pentagoni.

Bazuar në një vlerësim të imazheve satelitore të marra nga FT, ndërtimi filloi në mesin e vitit 2024. Tre persona të njohur me situatën thanë se disa analistë të inteligjencës e kishin quajtur projektin “Qyteti Ushtarak i Pekinit”.

Ndërtimi vjen në kohën kur Ushtria Çlirimtare Popullore po krijon armë dhe projekte të reja përpara 100-vjetorit të forcës në 2027. Inteligjenca amerikane tha se presidenti Xi Jinping kishte urdhëruar gjithashtu ushtrinë e vendit që të zhvillojë aftësitë për të sulmuar Tajvanin deri atëherë.

“Nëse konfirmohet, ky bunker i ri komandues nëntokësor i avancuar për udhëheqjen ushtarake, duke përfshirë Presidentin Xi si kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, sinjalizon qëllimin e Pekinit për të ndërtuar jo vetëm një forcë konvencionale të klasit botëror, por edhe një aftësi të avancuar luftarake bërthamore”, tha Dennis Ëilder, ish-kreu i analizës së Kinës për CIA-n.

Ambasada kineze në Uashington tha se “nuk ishte në dijeni të detajeve”, por theksoi se Kina ishte “e përkushtuar në rrugën e zhvillimit paqësor dhe një politike mbrojtëse”.

Një ish-analist i imazheve në Agjencinë përkatëse të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili ekzaminoi imazhet, vlerësoi se kishte të paktën 100 vinça në një sipërfaqe prej pesë kilometrash katrorë.

Edhe një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, tha pë FT, se selia aktuale ushtarake e Kinës në Pekinin qendror ishte mjaft e re, por ajo nuk ishte projektuar për të qenë një qendër komanduese e sigurt luftarake.

Në Kinë, nuk ka asgjë të zyrtarizuar lidhur me projektin, dhe nuk është përmendur askund kantieri i ndërtimit.

Financial Time shkruan se në zonë nuk ka prani të dukshme ushtarake, por kishte shenja paralajmëruese për ndalimin e fluturimit të dronëve ose fotografimit. Rojet në një portë thanë se hyrja ishte e ndaluar dhe refuzuan të flisnin për projektin.

SHKARKO APP