Dokumentari/ Në “burgun e shqiptarëve” në Greqi, aty ku Alket Rizai shkroi histori. Rreperi nga Shqipëria rrëfehet për jetën pas mureve
“Erdha nga një shtet tjetër për të bërë një jetë të re! Ëndrrat që kisha kanë mbetur në gjysmë”, këto ishin fjalët që këndoi shqiptari përmes rrepit të tij, i cili mes katër mureve po vuan dënimin në burgun e “Koridalos” në Greqi.
Për herë të parë burgjet e “Koridalos” në Greqi hapën dyert për realizimin e një reportazhi si asnjëherë më parë!
Në muret gri dhe të ftohta të privimit të lirisë, ka shumë shqiptarë. Madje ka pasur nga ata shqiptarë që kanë bërë edhe ‘histori” në këtë burg, si Alket Rizai.
Gazetari Fotis Karidas me një mikrofon dhe kamerën e tij bëri një bisedë të ngrohtë me njërin prej tyre, me një djalë të ardhur nga Shqipëria i cili siç shprehet është padrejtësisht mbrapa kangjellave, tashmë prej 3 vitesh.
Shqiptari: Unë isha roje, ndodhi një vjedhje dhe pa u përfshirë u gjenda në burg
Gazetari: Shumica që hynë në burg thonë të njëjtën gjë
Shqiptari: Jo, po të them të vërtetën nuk kisha lidhje
Gazetari: Sa vite je i dënuar
Shqiptari: Në fillim 36 vite më pas 21, tani ma lanë 15 vite dhe 9 muaj, kam kërkuar të rihapet çështja.”, shprehet ai.
Megjithëse dënimi për të dhe vuajtja në burgun më të famshëm helen është i pashmangshëm, i riu shqiptar nuk harron të buzëqesh dhe të luftojë për të qenë një njeri më i mirë se dje.
Ai shprehet se i pëlqen shumë shkolla dhe se kur të dali do të bëhet një psikolog!
Pasioni nuk ka humbur mes mureve dhe lagështisë së burgut, ai është i gjallë! Pasioni për muzikën dhe “hedhjen” e mendimeve mes rreshtave është ende aty!
Shqiptari shkruan dhe këndon për te gjithë burgun, në koncerte të organizuara ku ai shfaq anën e tij më artistike.
Shqiptari: Këtu po bëjë shkollë, më pëlqen shumë shkolla, dhe dua të bëhem psikolog. Unë jam dhe rreper kam një kanal në youtube, sapo të dal jashtë do të bëjë një këngë, Do kthehem në Shqipëri, do këndojë anglisht, greqisht dhe shqip
Gazetari: Nëse do ktheje kohën mbrapa çfarë do bëjë ndryshe
Shqiptari: Do isha marrë vetëm me muzikë, nuk do të bëja asgjë tjetër, por këtu në shkollë është diçka tjetër është gjeja më e bukur që kam. Këtu më është dhënë mundësi të mësoj. Kemi bërë edhe koncerte këtu, mezi pres të dal sërish në koncert po për shkak të COVID-19 nuk kemi bërë. Pavarësisht se jam padrejtësisht në burg, mundohem të buzëqesh të ndihmojë të tjerët.
Në fund të bisedës me gazetarit i riu i vendosi duart pranë zemrës dhe formoi shqiponjën me duar.
Në trup ai kishte edhe një tatuazh, sërish në formën e një shqiponje të lirë shqiptare.
Reportazhi nis me zërin dhe fjalët e të riut shqiptar, i cili kujton dëshirën dhe ëndrrat e tij që mbetën gjysmë për shkak të burgut.
Ai kujton nënën e tij të dashur që ka pa e parë prej shumë vitesh dhe i premton me këngë se ata do të ritakohen do të bëhen një, i kërkon asaj mos të mërzitet se ai do të kthehet…
“Erdha nga një shtet tjetër për të bërë një jetë të re
Erdha në Greqi dhe u futa në burg
Ëndrrat që kisha kanë mbetur gjysmë
Koha ndryshon këtu në burg
Familja ime pret të kthehem pranë saj dhe luten çdo ditë që të jemi bashkë
Nuk e di sa do të duroj akoma
Nuk e shoh dot më nënën time
Kam disa vite që jam i vetmuar
Nuk më zë gjumi sepse shoh mamanë time që më kërkon
Mami duro për pak do të jem pranë teje dhe do të bëhemi 1 trup
Më mungon ti edhe vendi jonë
Çdo ditë lutem për ty dhe të kërkoj falje që të kam shkaktuar dhimbje”
Disa sekonda në reportazh i kushtohen edhe shqiptarit Alekt Rizai, por pa përmendur detaje.
Gazetari: Ishe këtu kur erdhi helikopteri”, pyet gazetari pa përmendur emrin, sikur çdokush ta dinte se për ke e ka.
Polici: Po këtu isha, e kemi përjetuar nga afër gjithçka. Pastaj u mbulua dhe pjesa sipër
Këto janë pjesë të pjesës së parë të reportazhit, por pritet që të jetë me disa pjesë.