Dorëhiqet shefi i zbulimit ushtarak izraelit, merr përgjegjësinë e sulmit të Hamasit më 7 tetor

Shefi i zbulimit ushtarak të Izraelit dha dorëheqjen të mërkurën e 21 gushtit ndërsa mori përgjegjësinë për dështimin e mbrojtjes së kufirit në sulmin e 7 tetorit të vitit të kaluar.

Gjenerali Aharon Haliva, i cili ka shërbyer në ushtrinë izraelite për 38 vite, njoftoi në muajin prill se do të tërhiqet nga post i tij. Ai është mes disa komandantëve të lartë izraelitë që deklaruan se kishin dështuar të parashikonin dhe parandalonin sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.

“Dështimi i korpusit të zbulimit ishte faji im”, tha Haliva gjatë ceremonisë së largimit, ndërsa bëri thirrje për një hetim kombëtar “në mënyrë që të studiohen” dhe “të kuptohen tërësisht” arsyet që çuan në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Sulmi i 7 tetorit njollosi rëndë reputacionin e ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të zbulimit, që më parë shiheshin si të pamposhtura nga grupet e armatosura palestineze si Hamasi, shkruan Reuters.

Në orët e para të mëngjesit të 7 tetorit, pas një sulmi intensiv me raketa, mijëra luftëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera depërtuan barrierat e sigurisë rreth Gazës, duke befasuar forcat izraelite dhe goditur komunitetet në Izraelin jugor.

Rreth 1200 izraelitë dhe të huaj u vranësi pasojë e sulmit, shumica prej tyre civilë – dhe 250 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gazë, sipas të dhënave izraelite. 109 pengje besohet se janë ende në Gazë, ndërkohë një e treta e tyre mendohet se mund të kenë vdekur.

Kreu i forcave të armatosura, Gjenerali Herzi Halevi dhe kreu i agjencisë Shin Bet të zbulimit, Ronen Bar, morën përgjegjësinë pas sulmit, por kanë qëndruar në detyrë gjatë luftës në Gazë.

SHKARKO APP