Dritan Abazoviç: Nuk ka arsye për shqetësim as në Shqipëri, as në Bosnjë as në Serbi, as në Kosovë
Dritan Abazoviç, kryetar i grupimit URA dhe lider i koalicionit „E Zeza mbi të Bardhë“ thotë për DW se nuk do të ketë ndryshime në politikën e jashtme malazeze.
“Në Malin e Zi ka ndodhur një tronditje tektonike, diçka që për shumë vite dhe për shumë breza ka qenë e pabesueshme. Ne jemi vendi i parë në Evropë, që deri dje nuk ka pasur ndërrim demokratik të pushtetit. Kjo ndodhi në këto zgjedhje dhe është diçka, që sipas mendimit tim modest, është shumë pozitive. Çfarë do të ndodhë më tej me formimin e qeverisë së re dhe shumicës së re, mbetet të shihet” u shpreh Abazoviç.
DW: Në media janë shfaqur edhe skenarë të zinj, ku thuhet se këtu nuk është çështja te luftimi i korrupsionit por te përpjekja, që Malit të Zi t’i hiqet shtetësia dhe të kthehet në një Vojvodinë të re, apo në rastin më të mirë në një entitet, siç është Republika Serbe në Bosnjë Hervegovinë. A ekziston një rrezik i tillë apo është një ekzagjerim?
Dritan Abazoviç: Në Ballkan ekziston rreziku i gjithçkaje. Por nuk i pranoj skenarët fatalistë, sikur në Mal të Zi të ketë ndodhur kataklizma. Dëshiroj të besoj në një të ardhme më të mirë. Kemi paraqitur listën që ishte spektakolare, që ofronte njerëz të rinj, njerëz të nderuar dhe kemi marrë mbështetje për ndryshime.
Asnjë fatalizëm dhe pesimizëm nuk duhet të ushqejmë, përkundrazi të gjithë duhet të jemi optimistë.
Le të ndodhin ndryshime edhe në vendet e tjera. Dhe njerëzit që merakosen dhe dëshirojnë të paraqesin disa skenarë negativë, duan t’i paraqesin ato vetëm me dëshirën, që këtu të mos ndryshojë asgjë dhe që korrupsioni dhe krimi i organizuar të vazhdojnë të lulëzojnë.
Pyetje: Megjithatë, vendet në rajon dhe disa politikanë nuk e fshehin shqetësimin e tyre. Anëtari i Presidencës së Bosnjë- Hercegovinës Zeljko Komsiç tha se incidentet në Mal të Zi janë një paralajmërim edhe për Bosnjë- Hercegovinën, sepse forcat pro-ruse po përpiqen të destabilizojnë institucionet shtetërore edhe atje? Çfarë thoni për këtë?
Dritan Abazoviç: Unë them, se për çdo gjë që varet nga ne, mund të rrini të qetë. Kam biseduar me një pjesë të politikanëve rajonalë. Këtu është vetëm pak shokuese, që Gjukanoviçi ka rënë nga pushteti dhe se askush nuk ka besuar se mund ta mundë atë. Dhe kur njerëzit pas dy ose tre ditësh ta kenë kuptuar dhe kur pas njö jave pasionet të bien, mendoj se gjithçka do të rregullohet.
Të gjithë në rajon, dhe ky është mesazhi im, kanë nevojë për elita të reja politike. Kemi nevojë për njerëz, që nuk janë robër të viteve 1990. Kemi nevojë për njerëz që mund të sjellin freski dhe energji, të cilët nuk janë të ngarkuar nga e kaluara dhe mund ta realizojnë pajtimin mbi baza të shëndosha. Sa i përket koalicionit që unë përfaqësoj, do të jetë kështu dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim, as në Bosnjë Hervegovinë, as në Serbi, as në Kosovë, as në Shqipëri dhe as në Kroaci.