DW: Daytoni e bëri Bosnje-Hercegovinën të pa qeverisshme
Pas 25 vitesh, Bosnje-Hercegovina ka nevojë urgjente për një reformë të Marrëveshjes së Daytonit. Por kjo nuk bëhet pa një konferencë të përgatitur mirë nga fuqitë e atëhershme, shprehet Christian Schwarz-Schilling.
Krerët politikë në shtetin e Ballkanit Perëndimor, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroacinë fqinje duhet ta kuptojnë, se politika e tyre nacionaliste-shoviniste ndërkohë refuzohet nga populli. Kështu partia “Bashkësia Demokratike Kroate”, HDZ në zgjedhjet në Bosnje-Hercegovinë në vitin 2018 pësoi një humbje të ndjeshme: Në presidiumin tre anëtarësh nuk u zgodh Dragan Covic, por i moderuari, Zeljko Komsic. Shuplakën tjetër duhet ta merrte në fillim të vitit HDZ-ja në Kroaci. Presidentja e vendit anëtar më të ri në BE, Kolinda Grabar-Kitarovic, që ashtu si Covic mbështet një kurs nacionalist-populist, humbi në zgjedhje kundrejt kandidatit socialdemokrat, Zoran Milanovic.
Kushtetuta ishte pjesë e Marrëveshjes së Daytonit
Megjithatë HDZ nuk e kupton, as në Kroaci, e as në Bosnje, që politika e saj reaksionare-shoviniste në të dyja vendet është një politikë e së djeshmes dhe nuk vlerësohet më në popull. Kjo duhet t’i kishte rënë në sy kujtdo në Ballkan, pra që humbjet e nacionalistëve kroatë do të kishin pasoja politike. Kështu fituesi i zgjedhjeve, Milanovic foli menjëherë në telefon me presidentin turk, Erdogan, që njihet si mbështetës i Bosnjes. Nër të tjera flitet, se është biseduar edhe për një reformë të Marrëveshjes së Paqes së Daytonit, që para 25 vitesh i dha fund luftës në këtë vend të Ballkanit. Pjesë e marrëveshjes ishte kushtetuta aktuale e Bosnjes, që u përpilua atëherë nën presionin e të ngarkuarit të posaçëm amerikan, Richard Holbrook në Dayton, SHBA. Kushtetuta e Daytonit e ndan vendin në dy etnitete – Republika Srpska, ku banojnë kresisht serbë ortodoksë, dhe Federata e Bosnje-Hercegovinës, ku kryesisht banojnë boshnjakë myslimanë dhe kroatë katolikë.
Dayton e ka bërë të paqeverisshme Bosnje-Hercegovinën
Ky konstrukt i komplikuar shtetëror me disa nivele qeverisjeje do duhej të siguronte interesat e të tre etnive kryesore. Faktikisht Daytoni e ka bërë Bosnjen një vend të paqeverisshëm. Holbrooke vetë e kishte theksuar vetë disa herë, se Marrëveshja e Daytonit nuk është bërë për të lenë të pandryshuar gjendjen e vështirë në Bosnje, por për ta bërë të mundur, që hap pas hapi të arrihet progresi dhe vendi të hyjë në BE.
Legjitimiteti i Marrëveshjes së Daytonit vihet sot në pikëpyetje për tre arsye: Ai nuk është krijuar në mënyrë demokratike dhe përmban disa përcaktime që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare – kështu për shembull për postin e presidentit të shtetit mund të kandidojnë vetëm anëtarë të tre etnive më të mëdha. Pakicat e tjera (romët apo hebrenjtë) janë të përjashtuar nga kandidimi. Por Daytoni duhet të ndryshohet sidomos për shkak të mosfunksionimit. Ko deri më tani dukej si një mision i pamundur. Që nga viti 2006 asnjë propozim për ndryshim nuk ka arritur të shkojë në parlament, sepse përfaqësuesit e tre etnive më të mëdha nuk bien në ujdi. Sot shumë vetë në Bosnje e ngrenë zërin për një Dayton të dytë.
Kushtetuta e Bosnjes – një çështje e brendshme
Por nëse e përmend këtë në Republikën Srpska ndesh me refuzim. Liderët e serbëve boshnjakë kanë frikë nga një “Dayton 2”, sepse ata entitetin e tyre e kanë falë Marrëveshjes së Daytonit nga dëbimi i boshnjakëve e kroatëve në kohën e luftës. Ata nuk duan të rrezikojnë aspak vënien në dyshim të ekzistencës së tyre. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka theksuar se “pa miratimin nga ana serbe nuk mund të ketë ndryshime të Marrëveshjes së Daytonit”. Që kushtetuta e një vendi është çështje e brendshme e këtij vendi, atij nuk i intereson. Në vend të kësaj ai i referohet asaj që Serbia e ka nënshkruar Daytonin si fuqi garantuese në vitin 1995. Nuk duhet ta ndryshojë Bosnja asnjëherë kushtetutën, pa i pyetur vendet fqinje, Kroacinë e Serbinë jo gjtihmonë miqësore? Natyrisht që mundet! E kjo rrugë duhet të hapet, por për këtë është e nevojshme mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos e BE.
Reformat janë një çështje e vullnetit politik
Zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë ndiqen me vëmendje në Bruksel. Në dhjetor të vitit të kaluar juristi i njohur, Reinhard Priebe publikoi me porosi të BE, një raport për gjendjen e shtetit ligjor në vendin ballkanik. Aty theksohet nevoja për reformimin e autoriteteve të drejtësisë në BH, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe forcimi i shtetit ligjor. Por kjo ka për të funksionuar vetëm, nëse bëhet edhe një reformë kushtetuese. E për këtë është e nevojshme njëherë një konferencë ndërkombëtare e përgatitur mirë. Presidenti i ri kroat mendon, se kjo është pamundur, se për një “Dayton 2” duhet të bëhen bashkë të gjitha palët në luftën e Bosnjes, gjë që nuk do ishte e mundur. Natyrisht që është e mundur. Ajo që nevojitet për këtë është vetëm vullneti politik./DW