DW: Vizita e Macron në SHBA mund të theksojë unitetin europian
Presidenti i Francës Macron zhvillon një vizitë zyrtare në SHBA. Kjo vizitë do t’i japë fund zyrtarisht ftohjes mes dy vendeve dhe mund të artikulojë afërsinë gjermano-franceze.
Këtë të enjte (01.12) në Shtëpinë e Bardhë ka një program nderi për vizitën e parë shtetërore zyrtare të një presidenti të huaj qëkurse Joe Biden ka marrë postin në janar 2021. Do të dëgjohen himnet kombëtare franceze dhe amerikane. Ushtria sipas traditës do të shtjerë 21 herë me top dhe krerët e ushtrisë do të salutojnë me nderime ushtarake presidentin francez Emmanuel Macron dhe mikpritësin e tij Biden.
“Kjo është një vizitë e rëndësishme për ne, gjatë së cilës nuk është fjala vetëm për drejtim, por edhe për partneritet”, tha një zëdhënës i pallatit Elysée për mediat në prag të kësaj vizite. “Ne do të angazhohemi në të edhe për projektet gjermano-franceze dhe interesat europiane.” Kësisoj vizita mund të artikulojë edhe unitetin sa u përket marrëdhënieve gjermano-franceze, të cilat kanë pasur së fundi disa fërkime.
“Udhëtimi i Macron-it pritet t’i japë fund edhe episodit të pakëndshëm të të ashtuquajturit Aukus-Deal, ndonëse kjo nuk mund të harrohet plotësisht”, thotë Yves Boyer për DW. Ai është specialist për marrëdhëniet transatlantike dhe profesor në Ecole Polytechnique të Parisit. Aukus është një marrëveshje e shtatorit 2021, sipas së cilës SHBA dhe Britania e Madhe do të mbështesin Australinë për zhvillimin dhe përdorimin e nëndetësve atomike.
Në fakt kantjeri francez Naval Group do të duhej të furnizonte Australinë, dhe Parisi nuk ishte informuar paraprakisht për Aukus – ndonëse akordi francezo-australian duhej të tërhiqej. Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës Jean-Yves Le Drian e quajti Aukus “një goditje pas shpine”. Përkohësisht Franca e tërhoqi ambasadën nga SHBA-ja dhe Australia.
Por toni tashmë është qetësuar gjatë vitit të kaluar dhe “Macron sërish do të mund të rikthejë rolin e Francës ,’aleates më të vjetër’, sepse Franca nën Napoleon Bonaparte ia shiti shtetin e Louisianas, djepin e SHBA-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shpjegon Boyer.
Konsensusi gjermano-francez “shenjë e mirë për Europën”
Në agjendën e vizitës janë gjithashtu bisedime në fushën e studimeve hapësinore dhe bërthamore, sektorë, në të cilët Franca dhe SHBA kanë marrëveshje konfidenciale, thotë studiuesi. “Por Macron do të diskutojë me Biden edhe të ashtuquajturin ‘Inflation Reduction Act’ (IRA) e do të jetë zëdhënësi jozyrtar i BE-së, që do të minimizojë efektin e këtij ligji proteksionist”, mendon Boyer.
Kjo paketë prej 430 miliardë dollarësh e vendosur sivjet nga SHBA është një përzierje e uljes së taksave dhe subvencioneve, që duhet të financojë kryesisht sipërmarrjet e qendrueshme. Nga pala europiane kjo rregullore konsiderohet si proteksioniste – edhe sepse investimet synohet të tërhiqen në SHBA dhe qytetarët synohet të joshen për të blerë produkte si automjete elektrike të markave amerikane.
Gjermania dhe Franca javën e kaluar ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e politikës industriale duke e cilësuar këtë si një “përgjigje e fortë europiane ndaj IRA-s”. Yann Wernert, Policy Fellow në qendrën Jacques Delors në Berlin e vlerëson këtë akord. “Eshtë impresionuese, që është arritur kjo ujdi mes Gjermanisë dhe Francës.
Gjermania tradicionalisht i përmbahet mbrojtjes së tregtisë së lirë, ndërkohë që Franca është më e hapur kundrejt proteksionizmit”, komenton ai në bisede për DW. “Një konsensus i tillë është një shenjë e mirë për Europën, pasi së fundi ka pasur dukshëm tension në raportin gjermano-francez.” Franca dhe Gjermania, si dy fuqitë ekonomike të BE-së, konsiderohen si motori i saj.
Modeli ekonomik i Gjermanisë konsiston fuqishëm tek eksportet, dhe vendi ka vepruar në të kaluarën sipas motos “ndryshim përmes tregtisë”, p.sh. duke iu referuar Kinës dhe Rusisë. Por që pas invazionit rus në Ukrainë kjo politikë kritikohet ashpër jo vetëm në Francë, por ka krijuar edhe në Gjermani varësi problematike nga gazi rus.
Pozita në NATO
Edhe sa i përket pozicionimit në aleancën mbrojtëse NATO të dominuar fort prej SHBA-së deri më sot dukej qartë kontrasti gjermano-francez. “Në shtypin francez shpesh ndihet një farë distance ndaj NATO-s”, mendon eksperti Wernert. “Gjermania është më afër SHBA-së, shqetësimi nga një ftohje transatlantike është më i madh.
Gjermania tregohet më e rezervuar ndaj nismave europiane të mbrojtjes dhe nuk do të riskojë ndonjë thyerje me NATO-n.” Ndërsa Macron angazhohet fort për një politikë të BE-së për mbrojtjen dhe gjatë mandatit të tij të parë I turbulloi ujërat, kur e cilësoi NATO-n si me “tru të vdekur”.
Por edhe ky kontrast tashmë duket të jetë tejkaluar, gjë që do të dalë në pah edhe gjatë vizitës së Macron-it në SHBA, thekson historiania Nicole Bacharan, eksperte për marrëdhëniet transatlantike në fondacionin e Parisit për Shkencat Politike. “NATO u rigjallërua nga lufta e Putinit – është e qartë, se ajo është e nevojshme”, thotë Bacharan për DW.
“Në Europë do të dislokohen së shpejti edhe 300.000 ushtarë shtesë të NATO-s.” Uashingtoni përmes ftesës që i ka bërë Francës e pranon rëndësinë e aleancës amerikano-europiane. “Në kohë krizash prioritet ka unanimiteti”, thekson ekspertja.
Presidenti Biden në shtator 2021 gajtë takimit me Macron në Romë për herë të parë e pranoi zyrtarisht, që nisma europiane e mbrojtjes është e rëndësishme dhe plotësuese për NATO-n./DW