Edhe presidenti serb paralajmëron luftë në Bosnjë?!
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së Ushtrisë së Serbisë, për shkak të siç ka thënë, “tensioneve politike në Bosnjë e Herecegovinë”.
Në një deklaratë për gazetën beogradase “Novosti”, Nikoliç ka konfirmuar se me drejtuesit e të gjitha shërbimeve informative dhe të sigurisë ka biseduar lidhur me ato që ai i ka quajtur “mesazhe luftënxitëse” nga Sarajeva.
“Kam biseduar me kryetarin e qeverisë, Aleksandar Vuçiçin, me përfaqësues të disa shërbimeve, por edhe me kryeshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, të cilit ia kam paraqitur nevojën që ushtria të ushtrojë më shumë më shumë kujdes aktivitetet e saj të rregullta, për shkak të rrethanave në të cilat nuk mund të ndikojmë dhe situatës, e cila gjithsesi na prek edhe neve”, ka thënë Nikoliq.
Ai ka thënë se tani për tani nuk do ta thërrasë mbledhjen e Këshillit për siguri nacionale, por ka theksuar se Serbia nuk do të lejojë të befasohet nga askush.
“Nuk do të lejojmë që të na befasojë kushdoqoftë”, është shprehur ai.
Presidenti i Serbisë ka folur me përçmim për liderët politikë dhe drejtuesit e federatës së Bosnjës e Hercegovinës, përfshirë edhe kryesuesin e kryesisë, Bakir Izetbegoviç.
Tensionet mes Beogradit dhe Sarajevës janë shtuar më shumë pas shpalljes së referendumit në Republikën Serbe. Udhëheqja e Federatës së Bosnjës e Herecegovinës e akuzon Beogradin për nxitjen e liderëve të serbëve të Bosnjës, ndërsa Beogradi është distancuar deklarativisht nga referendumi, por ka dalë në mbrojtje aspiratave të serbëve në Republikën Serbe.
Sarajeva e konsideron referendumin e serbëve si përpjekje për shkëputjen e Republikës Serbe nga Federata e Bosnjës e Hercegovinës.
KOHA JONË SONDAZH

