Edhe Turqia me masa kufizuese, kthehet izolimi i pjesshëm në fundjavë
Virusi i ri korona vazhdon të përhapet dhe të ndiqet me masa të reja kufizuese në gjithë botën.
Ndërsa Europa është kthyer në epiqendrën e re të pandemisë, edhe Turqia njoftoi kufizime të pjesshme për popullatën dhe aktivitetet tregtare.
Presidenti, Reçep Taip Erdoan, njoftoi se ndalimqarkullimi do të zbatohet fundjavave nga ora 8 e mbrëmjes deri në orën 10 të mëngjesit, dyqanet do të qëndrojnë hapur gjatë orëve të lira, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe ata nën 20 vjeç mund të dalin nga shtëpia nga ora 10 deri në orën 4 pasdite gjatë ditëve të javës për arsye pune, mësimi do zhvillohet nga interneti deri në fundin e vitit, ndërsa sportet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e tifozëve.
Turqia regjistroi të martën mbi 100 viktima nga kovidi-19 që e çuan në 11,700 bilancin total.
Por koronavirusi po përhapet shpejt edhe te vendet që në valën e parë arritën ta përmbajnë me sukses goditjen epidemike.
Numri ditor i të infektuarve në Japoni u rrit të mërkurën me një rekord prej 2 mijë rastesh, vetëm 8 persona të prekur raportoi Kina, ndërsa banorët e Australisë Jugore iu drejtuan supermarketeve pas urdhrit për izolimin e plotë të shtetit për 6 ditë me radhë.
Sëmundja e kovidit ka infektuar mbi 55 milionë veta në botë dhe ka shkaktuar një total prej 1 milion e 300 mijë jetësh të humbura.
Me vaksinat e fundit të prodhuara nga shkencëtarët amerikanë, janë rritur shanset për ta luftuar në mënyrë proaktive pandeminë.
Europa ka porositur mbi 1 miliard vaksina antikovid për qytetarët e vet.
1,2 milion doza ka prenotuar edhe Kosova, ndërsa Serbia shpreson të marrë furnizimin e parë në muajin dhjetor.
Ndërkohë në Italinë fqinje, një sondazh i fundit ka nxjerrë se 1 në 6 italianë nuk dëshirojnë të vaksinohet në fazën paraprake në 2021-in, 42 përqind thonë se presin të mësojnë mbi efikasitetin e saj para se të vaksinohen, ndërsa 58 përqind besojnë se dozat nuk do mjaftojnë për të gjithë.