Erdogan ndryshon tonin për BE-në: Anëtarësimi nuk është më prioriteti ynë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më në krye të prioriteteve të Ankarasë, megjithëse vendi nuk e ka mbyllur derën për një integrim të mundshëm në të ardhmen.
Në një intervistë për Al Jazeera, Erdogan foli për marrëdhëniet e gjatë mes Turqisë dhe BE-së, duke kritikuar qasjen e Brukselit ndaj procesit të anëtarësimit të Ankarasë.
Sipas presidentit turk, Turqia ka pritur prej 53 vitesh për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ndërsa procesi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.
“Evropa nuk e ka integruar Turqinë për 53 vjet dhe nuk planifikon ta bëjë këtë që tani e tutje. Ne nuk e mbyllëm derën”, deklaroi Erdogan.
Megjithatë, ai theksoi se Ankaraja nuk po ushtron më të njëjtin presion për anëtarësim dhe se vendimi përfundimtar mbetet në duart e vendeve të BE-së.
“Ne po mendojmë të bashkohemi me Bashkimin Evropian. Nëse na pranojnë, kjo është në rregull, nëse nuk na pranojnë, kjo është gjithashtu në rregull”, u shpreh presidenti turk.
Erdogan nënvizoi se prioritetet e Turqisë janë zgjeruar përtej procesit të integrimit evropian, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për Brukselin.
“Prioriteti ynë nuk është Bashkimi Evropian. Ne vazhdimisht u themi atyre se ata do të jenë ata që do të humbasin, jo Turqia”, tha Erdogan.
Turqia aplikoi për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian në vitin 1987 dhe negociatat formale për anëtarësim në BE nisën në vitin 2005. Procesi është ngadalësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit për shkak të një sërë mosmarrëveshjesh politike dhe çështjesh që lidhen me kriteret e anëtarësimit.
KOHA JONË SONDAZH

