Erdogan-Putinit: Zonë sigurie “turke” në veri të Sirisë
Presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën në Kremlin, për të diskutuar mbi bisedimet për Sirinë. Turqit kishin njoftuar më herët se bisedimet do të fokusoheshin mbi të ashtuquajturën “zonë sigurie” nga Ankaraja zyrtare, në Sirinë veriore. Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord për të koordinuar operacionet në terren, në Siri, pas njoftimit befasues të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë muajit të kaluar për tërheqjen e rreth 2.000 trupave amerikanë nga Siria.
Në nisje të takimit të tyre në Kremlin, Putin iu referua Erdoganit me fjalët “i dashur mik”, teksa tha se vendet e tyre “punojnë bashkërisht për çështje të sigurisë rajonale, e po ashtu bashkëveprojnë aktivisht në Siri”. Erdogani përdori të njëjtën shprehje vlerësuese për Putinin, siç vërehet në komentet e përkthyera nga shtypi rus, e tha se “solidariteti ynë është një kontribut me peshë në sigurinë e rajonit”. Retorika e ngrohtë erdhi pavarësisht faktit se dy udhëheqësit në fjalë mbështesin palë të kundërta në konfliktin e Sirisë. Rusia ofron mbështetje të qenësishme ndaj qeverisë siriane, ndërsa Turqia ka mbështetur grupet rebele që luftuan forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad.
Erdogan tha të hënën se do të diskutonte me Putinin krijimin e “zonës së sigurisë” të kontrolluar nga Turqia në Sirinë veriore, siç kishte sugjeruar presidenti Trump. Kurdët, aleatët më të efektshëm të Amerikës në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kontrollojnë njëherazi pjesën më të madhe të veriut të Sirisë, e kanë refuzuar këtë ide, me frikën e një ofensive turke në territorin e kontrolluar prej tyre. /TCH/
KOHA JONË SONDAZH

