Është koha për ngritjen e një ushtrie evropiane

 

Nga David Sassoli*

*Zv.president i Parlamentit Europian 
 
“C’est la guerre”, e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë gazeta franceze “Le Monde”. Dhe kjo nuk është një mënyrë ekstreme për të komentuar arsyet e kërdisë dhe tmerrit, që mbajti të gjithë para ekranit, natën midis të premtes dhe të shtunës, me lot në sy, zemër të thyer dhe ankthit që shkakton ndjenja e humbjes para një rreziku që papritmas shkallmon derën kryesore të shtëpisë. Nuk jemi zyrtarisht në ndonjë luftë dhe s’do donim të ishim, por Evropës i është shpallur luftë nga një armik i brendshëm dhe në kontakt të ngushtë me një armik të jashtëm. Dhe jo vetëm kaq. Por kërcënimi ka ardhur në zemër të Evropës dhe vendeve që e luftojnë Kalifatin e ISIS-it. Të premten Franca, pak ditë më parë Rusia me avionin e nisur nga Egjipti. Motivet e evropianëve të rinj të besimit islam për të vrarë pa dallim e për të kryer vetëvrasje, në mënyrë që të arrihen këto objektiva, do të jenë për një kohë të gjatë objekt debatesh. Por tani ka diçka më urgjente për të menduar. A jemi ne të përgatitur, për të përballuar peshën e këtij kërcënimi? Nuk mjafton vetëm se themi se ne do të fitojmë, se nuk do të ndryshojmë stilin e jetesës, dhe se vlerat tona nuk do të rrëzohen për t’i hapur rrugë një sezoni urrejtjeje, me hidhërimet të shtypura dhe veprimet ushtarake të udhëhequra në rrugët e qyteteve tona kundër nesh, të rinjve dhe partnerëve tanë. Në qoftë se duam të fitojmë, duhet të dimë para së gjithash se na kanë shpallur luftë, ndaj dhe duhet të përshtatim sjelljen tonë sipas kushteve të reja.
 
Kur të na jenë tharë sytë prej lotëve, edhe pse e dimë se për shumë syresh ato nuk do të shterrin kurrë, çfarë zgjedhjesh do të na udhëheqinn, në kohën që na është dhënë për të jetuar? Edhe sepse të tjerët do të përpiqen të imitojnë vrasësit e natës më të gjatë të Parisit; luftëtarët e tjerë do të përpiqen të vërsulen kundër nesh; arkitektë të tjerë të terrorit, do të ndërmarrin hakmarrje globale për ata që luftojnë në Siri. Fatalizmi mund të na çojë në një qorrsokak. Dhe rregulli për t’u përballur me armikun, ka qenë gjithnjë rizbulimi i ndjenjës së detyrës, për të bërë pjesën e tyre dhe për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Kryeministri francez bëri mirë që mblodhi së bashku krerët e shumicës dhe opozitës, duke i ftuar të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre. Pastaj cilido prej tyre, le të nxjerrë përfundimet që dëshiron. Kjo nuk është një çështje fjalësh, por sjelljesh. Dhe shembulli vjen nga historia jonë. Shumë herë popujt e Evropës e kanë njohur orën e zgjedhjeve të vështira. 
Shembulli i britanikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, është ende një pikë referimi morale dhe politike.
 
Një ditë pas masakrës në Paris, performanca e shumë politikanëve të thirrur për të mbushur studiove të ndryshme në televizionet italiane, publike dhe private, ishte acaruese. Prej shumicës prej tyre, nga çfarëdolloj krahu politik, askush nuk do të kërkonte këshilla dhe as që do t’i merrte me vetë në luftë. Për politikën që dëshiron të kuptojë pse-në e këtyre tragjedive, ky është momenti i duhur për një ndryshim radikal të qëndrimeve. Dhe kjo është e vetmja mënyrë për të rezistuar. Për shembull, për ne që jemi të angazhuar për Parlamentin Evropian, është koha të punojmë mbi disa dokumenta që ndonëse janë vendimtare, deri më tani janë shtyrë. Nuk mjafton të thuhet se në këtë kohë na duhet më shumë Evropë. Duhet dëshmuar se Evropa ka ide, strategji dhe iniciativa. Vitin e fundit, është punuar shumë sidomos mbi ekonominë, eurozonën dhe krizën e emigrantëve. Komisioni dhe Këshilli Evropian, është lejuar të miratojë disa masa, të cilat deri pak kohë më parë ishin të paimagjinueshme, dhe se iniciativa italiane ishte vendimtare. Tanimë ne duhet të përqëndrohemi menjëherë në politikën e mbrojtjes, të brendshme dhe të jashtme. Dokumentet e prodhuara në periudhën e fundit nga presidenca Junker, na ofrojnë shumë mundësi për të nxitur formimin e një ushtrie evropiane. Le të shohim disa të dhëna. BE-ja ka 28 ushtri me një buxhet ushtarak, që është i dyti vetëm pas Shteteve të Bashkuara.
 
Rezultati është vetëm ekonomik, pasi Evropa është fuqia e dytë ushtarake globale, dhe ndërkohë nuk është në gjendje të koordinojë veprimet për të garantuar sigurinë e hapësirës së saj gjeografike. Koordinimet teknike formale dhe xhelozitë kombëtare, mbeten ende helmuese. Për më tepër, ndërsa shpenzimet ushtarake rriten në shumë vende – Kina + 167 përqind, Rusia + 97, Arabia Saudite +112, India +39 përqind, tek ne efektet e krizës ekonomike kanë shkaktuar një rënie prej 9 përqind. Vetëm SHBA-ja mbeti e paprekur në këtë aspekt. Mbi të gjitha, prania ushtarake nuk është e koordinuar, dhe çdo vend evropian vazhdon të pajiset me armë në bazë të kritereve vetjake dhe jo të standardizuara. Duke lexuar raportin e ESPC, grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian, shoh se deri tani janë marrë vendime ku dallohet qartë amatorizmi. Ushtria amerikane ka vetëm 9 lloje automjetesh të blinduara dhe në total zotëron 27 mijë; Evropa zotëron 37 lloje të ndryshme, në një total prej 17 mijë. Sa i përket aviacionit, situata është edhe më e keqe. Shpenzime të mëdha, por të paefektshme. E megjithatë, kufijtë e Evropës ndodhen në një rrezik të madh. Kërcënimi është real. Ushtria Evropiane është tashmë një domosdoshmëri strategjike, politike dhe ekonomike, dhe do të shërbejë ndër të tjera edhe për t’i siguruar politikës së jashtme, mjete efektive të parandalimit dhe ndërhyrjes. Rruga e imagjinuar nga Traktati i Lisbonës, parashikon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë të njëjtat qëllime.
 
Njëlloj si për eurozonën. Kush të jetë dakord. Por për t’ia filluar, duhen qeveri të gatshme. Ndërkohë, nëse ende presim që Evropa të ecë me të njëjtin ritëm, që çdo gjë të vendoset në mënyrë unanime, procesi nuk do të fillojë kurrë. Parlamenti dhe Komisionit Evropian, i kanë të gjitha mundësitë për të nisur projektin e ndërtimit të një mbrojtje të integruar. Përfitimet janë të dukshme. Integrimi i ushtrive evropiane me njëra-tjetrën, do të ketë gjithashtu edhe një efekt pozitiv në fushën e sigurisë së brendshme. Aktualisht ne nuk shkojmë përtej bashkëpunimit midis inteligjencës qëndrore dhe forcave policore kombëtare, ndërsa vetëm qielli e di se sa shumë kemi nevojë për një politikë të përbashkët për sigurinë e brendshme. Në qoftë se s’duhet të kemi frikë nga terrorizmi, nuk mund të druhemi nga rezistencat kombëtare mbi këtë çështje. Mjaton që të shtyhet përpara projekti. Sfida është e hapur dhe dhënia e më shumë sigurie për qytetarët e Evropës, do të jetë një nga përgjigjet ndaj tmerrit që kemi perjetuar pak ditë më parë në rrugët e Parisit. 
 
“Huffingtonpost.it” –  'Bota.al'

SHKARKO APP