“Europa e izoluar, ne jo”.Rusia tregon strategjinë për Ukrainën
“Europa donte të na izolonte, por nuk ia doli, dhe tani po kupton se e vetmja që mbeti e izoluar është vetë ajo.” Kështu deklaron Marat Bashirov, politolog i njohur për bindjet pro-Putin dhe ish-kryeministër i republikës separatiste të Luhanskut në vitin 2014, i cili thotë se ky është një moment i favorshëm për Moskën.
Sipas tij, vizita e Vladimir Putinit në Indi ka qenë ndryshe nga të tjerat, sepse SHBA shpresonte ta largonte Nju Delhin nga bashkëpunimi me “tigrin indian, dragoin kinez dhe ariun rus”.
“Që nga pritja në aeroport u kuptua se do të finalizonim të gjitha marrëveshjet që administrata Trump kishte tentuar kot t’i pengonte muajt e fundit,” tha Bashirov.
Ai argumenton se me Donald Trumpin si president, Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qasjen në promovimin e interesave të tyre.
“Shtetet e Bashkuara e dinë prej kohësh se Kina është konkurrenti i tyre kryesor. Kjo e detyron Shtëpinë e Bardhë të mos na shohë më si pjesë të të ashtuquajturit ‘boshti i së keqes’. Si pasojë, ‘çështja ukrainase’ për ta nuk ka më vlerë. Thjesht duan të heqin qafe atë problem,” thekson ai.
Bashirov rendit tre pikat ku Rusia, sipas tij, mund të bëjë lëshime për t’i dhënë fund konfliktit: “Sa i takon NATO-s, territoreve dhe përmasave të forcave të armatosura të Ukrainës, këtu nuk ka asnjë lëvizje – është një qëndrim i ngurtë, zyrtar. Gjithçka tjetër mbetet në zona gri,” thotë politologu.
Ai shpjegon se nga e merr Moska bindjen se mund të vendosë kushte: “Së pari, ju (evropianët) jeni të ndarë në të paktën tre grupe. Janë miqtë tanë, ose le t’i quajmë aleatë. Pastaj është grupi Francë–Gjermani–Britani, që mbështetin luftën. Grupi i tretë është ai i heshturve, të gjitha shtetet e tjera për të cilat çështja kryesore është uniteti i BE-së dhe problemi i madh i NATO-s, që nuk është më një aleancë atlantike pa SHBA-të. Italia lëkundet mes grupit të dytë dhe të tretit.”
“Sapo të bini dakord mes njëri-tjetrit, mund të keni më shumë peshë. Por për momentin,” thotë Bashirov, “faktet flasin vetë: ju jeni të izoluar, jo ne.”
KOHA JONË SONDAZH

