Europa përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit, alarm në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali
Europa Jugore dhe Perëndimore po përballet me një valë intensive të të nxehtit, ndërsa temperaturat ekstreme kanë vënë në alarm autoritetet në disa vende të kontinentit, duke shkaktuar probleme në jetën e përditshme, infrastrukturë dhe rrezik të shtuar për zjarre.
Franca, Italia, Spanja dhe Portugalia janë ndër vendet më të prekura nga fenomeni, me temperatura që në disa zona po afrohen ose po tejkalojnë rekordet sezonale. Të dhënat satelitore të programit europian të klimës, Kopernikus, tregojnë se masat e ajrit të nxehtë kanë përfshirë një pjesë të madhe të Europës Perëndimore dhe Jugore, ndërsa ekspertët flasin për një episod të pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Në Francë, autoritetet kanë shpallur alarm portokalli për shkak të temperaturave të larta dhe ndikimit të fenomenit të njohur si “kupola termike”. Në Paris, temperaturat kanë arritur 34 deri në 35 gradë Celsius, të shoqëruara me lagështi të lartë, duke krijuar kushte të vështira për qytetarët. Në periferi të kryeqytetit francez, nxehtësia ekstreme ka deformuar edhe shinat e tramvajit, ndërsa brigadat zjarrfikëse kanë shtuar gatishmërinë për shkak të rrezikut nga zjarret.
Në Itali, alarmi i kuq është shpallur në disa qytete të mëdha, ku temperaturat kanë boshatisur rrugët dhe kanë detyruar autoritetet të kërkojnë kufizimin e lëvizjeve gjatë orëve më të nxehta të ditës. Situatë e ngjashme raportohet edhe në Portugali, ku temperaturat po i afrohen 40 gradëve Celsius, gati një muaj para nisjes zyrtare të verës.
Ndërkohë, Spanja vijon të përballet me temperatura ekstreme, sidomos në veri të vendit, ku termometri ka kaluar 37 gradë Celsius. Autoritetet raportojnë se dhjetëra persona kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me vapën, ndërsa banorët flasin për net pa gjumë dhe kushte të vështira jetese për shkak të temperaturave përvëluese.
Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat aktuale janë deri në 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, një sinjal që tregon intensitetin dhe përmasat e pazakonta të valës së të nxehtit që po godet Europën.
KOHA JONË SONDAZH

