Evropa nuk duhet të gjendet sërish e papërgatitur përballë agresionit rus

Nga Christoph Meye, Politico.eu

“Rusia nuk do të jetë në gjendje që të na kapë sërish në befasi”- deklaroi Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba kohët e fundit në Bruksel. Kubela duhet të jetë një njeri optimist nga natyra. Por në fakt, shumë udhëheqës evropianë ende nuk kanë mësuar asnjë nga leksionet e luftës së Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe as nga lufta e saj e pashpallur zyrtarisht kundër Ukrainës dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014.

Teksa retorika po nxehet sërish, dhe trupat ruse po grumbullohen në kufi me Ukrainën, shanset janë të larta që Moska ta kapë edhe një herë në befasi Evropën. Nëse kjo ndodh, dëmi ndaj interesave evropiane do të ishte shumë i madh. Këtë herë, udhëheqësit perëndimorë nuk do të kishin asnjë justifikim.

Befasia është një shumëzues i forcës, ndaj është thelbësore për strategjinë e Kremlinit. Ekonomia ruse nuk është më e madhe sesa ajo e Italisë, dhe shpenzimet e saj nominale ushtarake janë vetëm një e katërta e gjithë Evropës së marrë së bashku. Ndërsa Moska ka investuar shumë në forcat e saj të armatosura që nga viti 2009, ajo ka ende nevojë që t’i detyrojë njerëzit të hamendësojnë mbi planet e saj.

Kremlini ka treguar një aftësi të madhe në shfrytëzimin e asimetrisë së informacionit midis tij dhe Perëndimit. Për Moskën është shumë me e lehtë të mbledhë informacion me cilësi të lartë mbi udhëheqësit kryesorë evropianë nga burimet e hapura, dhe të parashikojë pastaj se si ka të ngjarë të sillen ata në skenarë të ndryshëm mbi Ukrainën.

Zyrtarët rusë veprojnë në fshehtësi me shumë efektivitet por edhe me një kundërzbulim më të mirë sesa kundërshtari. Vendimmarrja është e përqendruar rreth presidentit Vladimir Putin dhe një rrethi të vogël këshilltarësh të tij të besuar, tek të cilët shërbimet sekrete perëndimore e kanë pasur të vështirë të depërtojnë.

Për pasojë, zyrtarët perëndimorë shpesh nuk janë të sigurt se kë duhet të dëgjojnë në Rusi. Për shembull, përpara luftës së Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2014 dhe aneksimit të Krimesë, këshilltari i Putinit Sergey Glazyev,deklaroi se Rusia nuk mund ta garantojë më statusin e Ukrainës si një shtet sovran, dhe se Moska mund të ndërhynte nëse rajonet pro-ruse të vendit kërkonin hapur ndihmën e Rusisë.

Në vend se ta merrnin seriozisht këtë paralajmërim, shumica e zyrtarëve evropianë ose i la pas dore ose i hodhi poshtë komentet e Glazyev për shkak të mungesës së besueshmërisë. Ndërkohë, ata i besuan deklaratës së Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov. “Ne jemi njerëz seriozë, dhe jo paranojakë”- tha Lavrov, duke premtuar të “qetësonte kokat e nxehta”.

Sot, teksa trupat ruse vazhdojnë të grumbullohen në masë në kufirin ukrainas, një zyrtar tjetër i Kremlinit, Dimitrij Kozak, nënkryetari i administratës presidenciale, ka folur për “fillimin e fundit” të Ukrainës.

“Cilido që synon të godasë rusët etnikë në rajonin e Donbasit nuk do të qëllohet në këmbë, por në fytyrë”- paralajmëroi ai. Këtë herë, udhëheqësit evropianë do të ishin të mençur të mos i shpërfillnin komente të tilla si të destinuara vetëm për një audiencë të brendshme ruse.

Në mënyrë të ngjashme, nuk duhet të injorohen as lëvizjet e trupave ruse. Në pragun e luftës në Gjeorgji në vitin 2008, analistët evropianë panë lëvizje të ngjashme të trupave dhe provokime ushtarake në provincat separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, siç po shohin sot në Rusi dhe Krime.

Në atë kohë, Moska e maskoi sulmin e saj të afërt, duke thënë se ajo po kryente thjesht “manovra” normale. Sot, për të justifikuar rritjen e trupave të saj në kufirin me Ukrainën, ajo

po flet për një“stërvitje ushtarake” të planifikuar më herët. Në përpjekjet për të befasuar Perëndimin, Moska mund të mbështetet në ndihmën e vazhdueshme nga shumë ekspertë dhe politikë-bërës perëndimorë, që dëshirojnë të mashtrojnë veten e tyre mbi qëllimet e Rusisë.

Kur analistëve u mungon informacioni i besueshëm, ata përfshihen shpesh në atë që Robert Jervis e quan“loja e pasqyrës”:Si do të ishte një reagim racional i qeverisë sime ndaj kësaj situate? Ata e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë se udhëheqësit rusë, do të guxojnë të gënjejnë apo shkelin hapur ligjin ndërkombëtar, përfshirë shkeljen e kufijve të një vendi sovran dhe aneksimin e territorit të tij.

Nga një perspektivë perëndimore, një pushtim rus duket irracional. Në një sondazh me 905 ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, vetëm 14 për qind e tyre parashikuan një ndërhyrje ushtarake ruse në Ukrainë, madje,vetëm disa ditë para se kjo e fundit të ndodhte.

Kjo qasje, i nënvlerëson presionet dhe stimujt e brendshëm me të cilët përballen liderët autoritarë. Në rastin e Gjeorgjisë, në vitin 2008 analistët perëndimorë menduan se ishte e pamundur që presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili të ishte “aq i çmendur”sa të niste një sulm ushtarak paraprak, duke pasur parasysh gjasat e një përgjigje shkatërruese nga ana e Rusisë.

Në fakt, për arsye të brendshme ai kishte premtuar të rivendoste kontrollin mbi 2 rajonet separatiste. Opinioni publik rus shihet shpesh dhe në mënyrë të gabuar si një pengesë tjetër për Moskën, siç ishte vite më parë në prag të ndërhyrjes sovjetike në Çekosllovaki.

Në vitin 2013, analistët perëndimorë prisnin një ndëshkim rus të Ukrainës, por nuk e menduan në asnjë moment një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake, dhe lëre më pastaj aneksimin e një pjese të territorit.Paralajmërimet e pakta që u dhanë nga ministrat e jashtme të Polonisë dhe Suedisë nuk u morën seriozisht, pasi ato u cilësuan si të njëanshëm kundër Rusisë, duke pasur parasysh pikëpamjet e tyre të njohura.

Pranimi i paralajmërimeve është psikologjikisht stresues për vendimmarrësit. Ai i ballafaqon ata me zgjedhje të vështira në raport me vlerat dhe interesat që mbrojnë. Megjithatë, nëse historia është një lloj udhëzuesi, mosveprimi vetëm sa i bën më të vështira ato zgjedhje.

Dhe kjo gjë është po aq e vërtetë sot, sa ishte herën e fundit. A duhet që liderët perëndimorë të bien dakord për një zgjidhje diplomatike, që do t’i jepte Rusisë një veto de facto mbi të ardhmen e Ukrainës? Apo ata janë të gatshëm t’i japin mbështetje Ukrainës, një mbështetje të prekshme, dhe të vendosin sanksione të besueshme për ta frenuar Rusinë, duke shmangur skenarin më të keq?

Këto janë pyetje të cilave është mirë që t’u jepet përgjigje përpara pushtimit sesa pas tij. Udhëheqësve perëndimorë mund t’u falet që u befasuan në vitet 2008 dhe 2014. Por ata nuk do të kenë asnjë justifikim nëse e lejojnë veten të mashtrohen sërish. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

SHKARKO APP