Festivali i akullit në Kinë

Festivali i përvitshëm i akullit në Kinë u çel këtë radhë me disa çifte të rreshtuar për një ceremoni të përbashkët martese që temë kishte dëborën.

Nuk munguan as notarët e guximshëm në ujërat e ngrirë dhe pallatet e skulpturat gjigante prej akulli. Një show fishekzjarresh shënoi zyrtarisht hapjen e festivalit të veçantë, që tërheq masivisht vendas e turistë të huaj.

43 nuse kishin pritur më herët të veshura me fustan të bardhë dhe xhup sipër tij që t`i vinte radha e celebrimit. Në ditën kur temperaturat shënonin minus 7 gradë Celsius, pati disa guximtarë që hynë të laheshin në pishinë të krijuar në lumin e ngrirë Songhua dhe duket sfidën e përballuan me sukses.

Festivali ndërkombëtar i akullit dhe dëborës në Harbin kërkoi këtë vit 170,000 metra kub akull, që u nxorën nga lumi Songhua falë ndihmës së më shumë se 100 punëtorëve. Këta të fundit kanë punuar çdo ditë nga 12 orë për në javët përpara festivalit duke prerë me mijëra copa akulli.

SHKARKO APP