“Fjalimi i Erdogan në OKB, i pakuptimtë”
Kryetari i Partisë Popullore Republikane, Kemal Këllëçdaroglu e konsideroi si të pakuptimtë fjalimin e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Duke iu referuar pjesmarrjes së ulët të të pranishëmve në sallë gjatë fjalimit të Presidentit Erdogan, lideri i CHP-së e cilësoi atë si një fjalim që i adresohej sallës bosh të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, bojkotimi i fjalimit të presidentit dëshmon qartë mungesën e respektit nga liderët botërorë.
“Fakti që gjatë fjalimit të Tij salla e Kombeve të Bashkuara ishte bosh, sigurisht që e bën këtë fjalim të pakuptimtë. Është e vështirë të thuash nëse ai fjalim i drejtohej liderëve të botës, apo kryepleqve të fshatit. Është i dëshpëruar dhe i pashpresë. Në vend që mbledhjen e përvitshme të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ta shfrytëzojë për të promovuar Turqinë, këtë mundësi ai e shfrytëzon për të folur për FETON (Lëvizjen klerikut Fethullah Gylen, të cilën Erdogan dhe partia e tij e cilëson si organizatë terroriste). Në saje të tij FETO është bërë e famshme në të gjithë botën. Në fjalimin e tij, presidenti përpiqej të bindte botën që kjo lëvizje mund të organizojë grushti shteti dhe ndaj vendeve tuaja. Mos i pandehni vendet e tjera të paafta që të dorëzojnë të gjitha institucionet e vendeve të tyre. Të gjitha vendet, të cilave ju u adresoheni kanë demokraci të konsoliduar dhe institucuione secularist”, u shpreh Këllëçdaroglu.
Lideri i opozitës, vijoi më tej duke thënë se zhvillimet e fundit në Turqi dhe qëndrimi i partisë në pushtet dhe Presidentit dëshmojnë qartë që Turqia ka humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë në arenën ndërkombëtare. Dëshmia më e qartë e këtij fakti, sipas tij është pikërisht indiferenca e liderëve botërorë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidentin i Republikës së Turqisë që i adresohet një salle bosh
“Teksa po ndiqja fjalimin e Presidentit të Turqisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si qytetar i këtij vendi dhe si lider i partisë kryesore të opozitës, jam ndier i turpëruar. Është trishtuese të shohësh Presidentin e Republikës së Turqisë që i adresohet një salle bosh të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Pikërisht bojkotimi i fjalimi i tij është dëshmi e faktit që Turqia ka humbur kredibilitetin dhe respektin në arenën ndërkombëtare. Kjo është një situatë që na ka pikëlluar pa masë të gjithëve”, përfundoi Këllëçdaroglu.
KOHA JONË SONDAZH

