Flet gjyshi i terroristit në Vjenë, Kujtim Fejzullahit: Edhe ai është vrarë a? Veten e ka marrë në qafë
Në sulmin e mbrëmshëm në Vjenë mbetën të vrarë 4 persona si dhe sulmuesi, Kujtim Fejzullahu, i cili është shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Por, për nipin e tij, i cili kreu këtë akt terrorist, nuk dëshiroi të flasë as gjyshi i tij. Madje ai fillimisht nuk e pranoi se ka lidhje familjare me të.
Gjyshi i tij thotë se ai nuk ka pasur kontakt me familjen e tij për gjashtë muaj. Madje thotë se Kujtimi ka shkuar çdo vit në Maqedoninë e Veriut së bashku me familjen e tij.
“Po, si jo! Çdo vjet me familjen. Kujtimi normal vinte në banesë te nëna dhe te baba, por banesën e ka pas të vetën. E tash çka ka bërë atje në banesën e vet nuk e din askush”, tha gjyshi i tij për Klan Maqedonia.
Por, në fund gjyshi i tij me kureshtje pyet për nipin, se është vrarë ai.
“Domethënë Kujtimi është i vrarë ashtu? Informatat e para janë ashtu… I vrarë është a! Çfarë të bëjmë, vetën e ka marrë në qafë”, tha ai.
Deri tani pesë persona kanë vdekur nga sulmi me kallashnikov që u krye në mbrëmjen e së hënës në Vjenë, përfshirë njërin nga sulmuesit. / Lajmi.net