Fokus armëpushimi, Trump zhvillon bisedë telefonike me presidentin e Libanit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Libanit, Joseph Aoun në atë që konsiderohet kontakti i parë mes dy liderëve.
Sipas mediave ndërkombëtare, biseda u përqendrua te situata e tensionuar në Liban dhe përpjekjet për arritjen e një armëpushimi. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Aoun shprehu mirënjohjen për angazhimin e Trump në drejtim të ndalimit të luftimeve dhe garantimit të një paqeje të qëndrueshme në vend.
Presidenti libanez theksoi gjithashtu nevojën për t’i dhënë fund armiqësive “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke nënvizuar urgjencën e situatës në terren.
Trump rikonfirmoi mbështetjen për Libanin dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar në përmbushjen e kërkesës për armëpushim, thuhet në deklaratë.
Kjo telefonatë vjen në një moment të shtimit të përpjekjeve diplomatike. Vetëm pak ditë më parë, përfaqësues të Izraelit dhe Libanit zhvilluan bisedime në Uashington, takimi i parë i këtij lloji që prej vitit 1993—duke sinjalizuar një shtysë të re drejt uljes së tensioneve në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

