FOTO/ Kjo është 53-vjeçarja që i dërgoi zarfin me helm Presidentit të SHBA, Donald Trump. Çfarë zbuloi FBI
Programuese kompjuteri është 53-vjeçarja Pascal Ferrier, gruaja e cila akuzohet zyrtarisht për dërgimin e një zarfi me helm në Shtëpinë e Bardhë në adresë së Presidnetit të SHBA-ve, Donald Trump.
Ferrier ka lindur në Francë, por në 2015-n fitoi shtetësinë kanadeze dhe jeton në Quebec. Në maj të vitit 2019, u arrestua në Teksas për armembajtje pa leje dhe drejtim mjeti me leje drejtimi të falsifikuar. Ajo më pas u dëbua në Kanada, sipas New York Times, dhe u konstatua se viza i kishte skaduar.
Ndaj saj tashmë rëndon një tjetër akuzë në gjykatën e Nju Jork-ut, për “kërcënim ndaj presidentit amerikan”.
Zarfi që përmbante substancën toksike “Ricin” dhe letrën kërcënuese u dërgua në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar. Pakoja e dërguar nga Kanadaja kishte brenda saj një letër që përshkruante Trumpin si “tiran e klloun të shëmtuar”, ndërsa Ferriera i kërkonte atij “të jepte dorëheqjen dhe të hiqte dorë nga kandidimi në zgjedhjet e ardhsme”, sipas FBI.
“Unë ju bëra një dhuratë speciale për të të ndihmuar të marrësh një vendim. Kjo dhuratë është në këtë letër”, shkruante kanadezja.
“Nëse nuk do të veprojë, unë do të gjej një recetë më të mirë me një helm tjetër, ose mund të përdor armën time kur të jem në gjendje të vij“, vijonte letra.
Gjatë hetimit, FBI-ja zbuloi se gjashtë letra shtesë të ngjashme duket se ishin dërguar në Teksas në shtator me vula nga Kanadaja. Këto letra përmbanin të njëjtin tekst: “Letra dërguar Trump”!
Hetuesit, gjithashtu, arritën të përputhnin gjurmët e gishtave të Ferrier me katër nga ato letra.
Në një postim në “Facebook” dhe “Twitter”, në muajin shtator, Ferrier përdori hashtagun “#killTrump”, ndërsa e quante atë “klloun i shëmtuar – tiran”, sipas dokumentit të FBI.