FOTO/ Terroristi i Vjenës vrau me një armë “Made in Serbia”
Atentatori i sulmit terrorist në Vjenë vrau me një armë “Made in Serbia”.
Kështu shkruan e përditshmja prestigjoze gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
Sipas saj, armët serbe janë të pëlqyera nga terroristët islamistë pasi I njëjti model arme, “Zastava M70”, është përdorur nga ata gjatë sulmeve në Francë në vitin 2015.
Sipas gazezës, gjatë verës, Kujtim Fejzullahu, së bashku me disa persona të tjerë, shkoi në Sllovaki për të blerë armën dhe municione, por këto të fundit nuk I janë dhënë pasi arma nuk ka patur leje.
Policia sllovake njoftoi kolegët austriakë, të cilët nuk vepruan edhe pse e dinin se Fejzullahu ishte i dënuar edhe më herët për radikalizëm.
Ministri i Brendshëm austriak pranoi se ka pasur “gabime komunikimi” me palën sllovake. Karl Nehammer tha po ashtu se shërbimi sekret sllovak ka njoftuar shërbimin sekret austriak, por pastaj “diçka kishte dështuar”.
Armët e prodhimit serb janë përdorur edhe me rastin e sulmeve terroriste në Francë në vitin 2015, mes tjerash kundër teatrit Bataclan dhe kundër revistës “Charlie Hebdo”.
Bëhet fjalë për prodhime të fabrikës së armëve në Kragujevc të Serbisë.
Në këtë fabrikë u prodhuan edhe granatat e dorës, të cilat u përdorën më 1914 nga terroristët serbë në atentatin kundër pretendentit të fronit austro-hungarez, Franc Ferdinand.
Në nëntor 2015 policia gjermane ndali veturën e një shtetasi malazez, i cili ishte duke shkuar në Paris. Në veturë kishte disa kallashnikovë, granata dore dhe eksploziv.
Disa muaj më herët, sipas mediave gjermane, policia suedeze kishte arrestuar një mysliman nga Bosnja, në veturën e të cilit gjendeshin dhjetë granata dore, katër pistoleta automatike dhe armë të tjera.
Sulmi në Vjenë shkaktoi 4 viktima dhe rreth 15 të plagosur.