Franca: Gjendja e jashtëzakonshme, ta zgjatim 3 muaj

 

Presidenti francez, Francois Hollande ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit të tij qeveritar në pallatin e Elizesë, për t’u fokusuar kryesisht në monitorimin e bastisjes së apartamentin e periferisë së Parisit, në Saint-Denis, që është zhvilluar prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Në mbledhjen urgjente marrin pjesë kryeministri Manuel Valls, ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve, ministri i Mbrojtjes Jean-Yvez Le Drian, ministri i Jashtëm Laurent Fabius, si dhe ministrja e Drejtësisë Christiane Taubira, të cilët pritet të diskutojnë me Presidentin Hollande edhe mbi projektligjin për të shtyrë gjendjen e emergjencës në Francë me 3 muaj.

Presidenti francez deklaroi gjendjen e emergjencës për 12 ditë, pas sulmeve të mesnatës së të premtes. Por për ta shtyrë atë duhet të merret edhe miratimi i Parlamentit francez. Për këtë arsye, projektligji do të debatohet këtë të mërkurë në kabinetin qeveritar, ndërkohë që të enjten do të kalojë në dhomën e ulët të Parlamentit, e më pas të premten do të diskutohet në Senat.

Gjendja e emergjencës zgjeron fuqitë e policisë në lidhje me kërkimet dhe arrestimet, si dhe kufizon mbledhjet e publikut në vende të hapura, mes shumë ndryshimeve të tjera.

Ndërkaq, një zyrtar policor që nuk mund të identifikohet për shkak rregullash, ka bërë të ditur se një person është ende i mbyllur në apartamentin në veri të Parisit, pas orësh të tëra shkëmbimzjarri me policinë, gjatë të cilave kanë vdekur dy persona dhe 5 të tjerë janë arrestuar.

Identiteti i këtij personi nuk është publikuar ende, ndërkohë që autoritetet thonë se operacioni synonte të kapte arkitektin e sulmeve të së premtes së kaluar në Paris, ku mbetën të paktën 129 persona të vdekur.

SHKARKO APP