Frika për aneksimin e Groenlandës ringjallet pas operacionit amerikan në Venezuelë
Sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Venezuelës dhe kapja e presidentit të saj, Nicolás Maduro, kanë ringjallur frikën për një aneksim të mundshëm të Groenlandës nga ana e Amerikës. Kjo vjen pasi anëtarët e lëvizjes Maga të Donald Trump-it, me entuziazëm, kanë shprehur synimet e tyre ndaj territorit danez pas operacionit në Amerikën e Jugut. Vetëm pak orë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë, podcasterja e krahut të djathtë Katie Miller – bashkëshortja e Stephen Miller, zëvendësshefit të fuqishëm të stafit të Donald Trump-it për politikën – postoi në platformën X një hartë të Groenlandës të mbuluar me yjet dhe shirita amerikanë, shoqëruar me mbishkrimin: “SË SHPEJTI.”
Kjo provokoi reagime të menjëhershme.
Kërcënimi për aneksimin e territorit të pasur me minerale, i cili është pjesë e aleancës së NATO-s, shkaktoi zemërim të menjëhershëm nga ana e danezëve.
Ambasadori i Kopenhagës në SHBA, Jesper Møller Sørensen, ripostoi provokimin e Miller-it me një “kujtesë miqësore” për lidhjet e gjata të mbrojtjes midis dy vendeve. “Ne jemi aleatë të ngushtë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku si të tillë. Siguria e SHBA-së është gjithashtu siguria e Groenlandës dhe Danimarkës,” tha ai. “Mbretëria e Danimarkës dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku për të garantuar sigurinë në Arktik.” Ai theksoi se Danimarka kishte rritur shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2025, duke angazhuar 13.7 miliardë dollarë (10.2 miliardë paund) “që mund të përdoren në Arktik dhe Atlantikun e Veriut. Sepse ne e marrim seriozisht sigurinë tonë të përbashkët.” Sørensen shtoi: “Dhe po, ne presim respekt të plotë për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës.”
Kohët e fundit, Trump emëroi Jeff Landry, guvernatorin e Luizianës, si një të dërguar special për Groenlandën. Landry, një ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit, falënderoi Trump-in për emërimin e tij në dhjetor, duke thënë se ishte “një nder t’ju shërbej në këtë pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”. Të shtunën, Landry mirëpriti rrëzimin me forcë të Maduro-s nga Trump. “Duke shërbyer si zëvendës-sherif dhe prokuror i përgjithshëm, kam parë efektet shkatërruese të drogave ilegale mbi familjet amerikane. Me mbi 100 mijë vdekje të lidhura me opioidet çdo vit, jam mirënjohës që shoh një President që më në fund ndërmerr veprime reale në luftën kundër drogës,” postoi ai në X. “Faleminderit @realDonaldTrump që mbani përgjegjës individë si Maduro.”
Që nga marrja e detyrës një vit më parë, Trump ka shqetësuar aleatët evropianë me synimet e tij të deklaruara për Groenlandën, e cila shihet si strategjikisht e rëndësishme për mbrojtjen dhe si një burim i ardhshëm i pasurisë minerale. Ajo është shtëpia e bazës ushtarake më veriore të SHBA-së, në Pituffik, të cilën zëvendëspresidenti i Trump-it, JD Vance, e vizitoi në mars. Presidenti amerikan ka refuzuar të përjashtojë veprimet ushtarake për të marrë kontrollin e territorit në një kohë kur SHBA, Kina dhe Rusia po garojnë për pushtet në Arktik, një perspektivë që ka shkaktuar dënim të gjerë dhe shqetësim në vetë ishullin.
SHBA e meriton Groenlandën, sepse rrit mirëqënien e popullit dhe siguron edhe NATO-n, pasi Danimarka nuk ka fuqi.
“Nuk e përjashtoj. Nuk them se do ta bëj, por nuk përjashtoj asgjë. Jo, jo atje. Ne kemi shumë nevojë për Groenlandën,” i tha Trump transmetuesit amerikan NBC në maj, kur u pyet për një pushtim të mundshëm me forcë. “Groenlanda ka një numër shumë të vogël njerëzish, për të cilët do të kujdesemi, dhe do t’i vlerësojmë, dhe të gjitha këto. Por ne kemi nevojë për këtë për sigurinë ndërkombëtare.” Në përgjigje të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj territorit, Shërbimi Danez i Inteligjencës së Mbrojtjes muajin e kaluar e etiketoi SHBA-në si një rrezik sigurie, në një ndryshim dramatik të marrëdhënieve transatlantike.
Kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës, Mette Frederiksen dhe Jens-Frederik Nielsen, deklaruan në atë kohë: “E kemi thënë shumë qartë më parë. Tani e themi sërish. Kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve janë të rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare… Nuk mund të aneksohen vende të tjera”.
Shumica dërrmuese e 57,000 banorëve të Groenlandës dëshirojnë të bëhen të pavarur nga Danimarka, por nuk kanë dëshirë të bëhen pjesë e SHBA-së, sipas një sondazhi të janarit. Territori ka të drejtën të shpallë pavarësinë që nga viti 2009. Jennifer Kavanagh, drejtoresha e analizës ushtarake në Defense Priorities, një think-tank që avokon për përmbajtje në politikën e jashtme të SHBA-së, tha se ajo prej kohësh i kishte hedhur poshtë kërcënimet e Trump-it ndaj Groenlandës.
“Tani nuk jam aq e sigurt,” tha ajo. “Nuk do të ishte aq e vështirë për SHBA-në të vendoste disa qindra ose disa mijëra trupa brenda Groenlandës, dhe nuk është e qartë për mua se kush mund të bënte diçka për këtë.” (Agence France-Presse kontribuoi në këtë raport)
KOHA JONË SONDAZH

