Gjenevë, Pekini kundër panikut të panevojshëm dhe masave të tepërta parandaluese

Ambasadori kinez i OKB-së paralajmëroi sot kundër panikut të panevojshëm dhe masave të tepërta parandaluese, të marra nga disa vende përballë epidemisë së pneumonisë virale.

“Nuk është e nevojshme të frikësohemi në mënyrë të panevojshme dhe as të marrim masa të tepërta parandaluese”, deklaroi përfaqësuesi kinez, Xu Chen, në një konferencë shtyp në Gjenevë duke nënvizuar se OBSH-ja kishte shprehur besim të plotë tek Kina.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli emergjencën globale për shkak se epidemia e re e koronavirusit të shfaqur në Kinë dhe që është përhapur në disa rajone të botës, përbën një urgjencë të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare.

“Shqetësimi ynë më i madh është mundësia që virusi të përhapet në vendet, sistemet shëndetësore të të cilave janë më të dobëta (…). Nuk bëhet fjalë për një votë mosbesimi ndaj Kinës”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi gjithashtu se nuk kishte arsye për të kufizuar udhëtimet dhe shkëmbimet tregtare me Kinën, pavarësisht shpalljes së një emergjence ndërkombëtare përballë koronavirusit të ri, të shfaqur në këtë vend.

SHKARKO APP