Gjermania dhe Franca lënë pas mosmarrëveshjet, fokus te rimëkëmbja
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë shfaqur një qëndrim të përbashkët për nevojën e rimëkëmbjes së ekonomisë evropiane, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit mes dy vendeve. Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, Merz theksoi se prioritet mbetet ndërtimi i një industrie konkurruese në Evropë, e aftë të përballet me presionin e tregjeve globale.
Diskutimet e zhvilluara në Rijkhoven, në lindje të Belgjikës, u fokusuan te mënyrat se si BE-ja mund të forcojë rritjen ekonomike dhe të adresojë sfidat e brendshme strukturore. Megjithatë, qasjet e kryeqyteteve evropiane mbeten të ndryshme. Berlini mbështet uljen e burokracisë, heqjen e barrierave të brendshme tregtare dhe zgjerimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë si rrugë për të nxitur zhvillimin.
Në të kundërt, Parisi ka propozuar emetimin e borxhit të përbashkët evropian, një ide që Gjermania e ka kundërshtuar vazhdimisht. Macron ka shprehur gjithashtu rezerva ndaj disa marrëveshjeve të tregtisë së lirë, duke theksuar nevojën për të mbrojtur dhe favorizuar kompanitë evropiane.
Megjithatë, gjatë deklaratave të përbashkëta, dy liderët sinjalizuan afrimin e qëndrimeve dhe theksuan urgjencën për veprim. Një nga pikat ku pritet bashkëpunim më i ngushtë është harmonizimi i tregjeve të kapitalit në BE, në kuadër të iniciativës për krijimin e një “unioni të kursimeve dhe investimeve”.
Ndërkohë, ritmi i ngadaltë i reformave ka shtuar shqetësimet. Raportet e Mario Draghit dhe Enrico Lettës në vitin 2024 paralajmëruan për nevojën e investimeve të mëdha dhe unitetit më të fortë. Sidoqoftë, vetëm një pjesë e vogël e rekomandimeve është zbatuar, ndërsa përfaqësues të industrisë kërkojnë veprime më të shpejta dhe konkrete nga liderët evropianë.
KOHA JONË SONDAZH

