Gjermania feston 35 vjetorin e ribashkimit, një histori bashkimi mes sfidave
Sot, më 3 tetor 2025, Gjermania kremton një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së saj moderne – 35-vjetorin e ribashkimit pas dekadash ndarje dhe izolimi. Pas rënies simbolike të Murit të Berlinit më 1989, vendi u bashkua për t’i dhënë fund ndarjes së gjatë midis Lindjes dhe Perëndimit, duke hapur një kapitull të ri shprese dhe sfidash.
Një sondazh i fundit nga ZDF nxjerr në pah se 9 në 10 gjermanë nga të dyja anët e vendit e konsiderojnë ribashkimin si një vendim të duhur historik. Por, megjithatë, më shumë se gjysma e të anketuarve në ish-Gjermaninë Lindore dhe pothuajse gjysma në Perëndim besojnë se sfidat e bashkimit janë ende të pranishme dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.
Në ish-Gjermaninë Lindore, shumica ndihen se ribashkimi solli ndryshime pozitive në jetën e tyre, edhe pse një pjesë e tyre përjetoi vështirësi. Ndërkaq, në Perëndim, shumë e kanë ndjerë ribashkimin si një proces që nuk ndikoi drejtpërdrejt në jetën e tyre, por edhe aty ka reflektime të ndryshme për pasojat sociale dhe ekonomike.
Në kuadër të festimeve për këtë përvjetor, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të bashkohen në një ceremoni në landin Saarland, për të theksuar rëndësinë e bashkimit dhe partneritetit evropian.
Ky përvjetor nuk është vetëm një moment për t’u kthyer pas, por edhe një ftesë për të vijuar punën drejt një Gjermanie më të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e saj.
KOHA JONË SONDAZH

