Gjermania i sekuestron oligarkut rus jahtin 600 milionë dollarësh

Jahti i çmuar mbi 150 m i gjatë i miliarderit rus Alisher Usmanov është sekuestruar nga zyrtarët gjermanë pas sanksioneve të vendosura nga BE, raportoi Giacomo Tognini i Forbes.

Ndaj miliarderit rus Alisher Usmanov u vendosën sanksione nga Bashkimi Evropian ditën e hënën. Dy ditë më vonë, Forbes ka mësuar nga tre burime në industrinë e jahteve se një nga pasuritë e tij të çmuara – jahti 156 m Dilbar, i vlerësuar në afro 600 milionë dollarë – është sekuestruar nga autoritetet gjermane në qytetin verior të Hamburgut.

Anija ka qenë në kantieret detare të Hamburgut të firmës gjermane të ndërtimit të anijeve Blohm+Voss që nga fundi i tetorit për një riparim. Burimet që folën për Forbes thanë se qeveria gjermane ngriu asetin dhe se, me gjasë si rezultat, punonjësit e Blohm+Voss që kishin punuar në jaht nuk u paraqitën në punë të mërkurën. Përfaqësuesit e Blohm+Voss dhe Usmanov nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Usmanov e bleu Dilbar në vitin 2016 për një kosto të raportuar prej 600 milionë dollarësh nga ndërtuesi gjerman i anijeve Lürssen, i cili e ndërtoi jahtin për oligarkun rus për 52 muaj. Firma e quan atë “një nga jahtet më komplekse dhe sfiduese të ndërtuara ndonjëherë, si për nga dimensionet ashtu edhe për nga teknologjia”. Me 15,917 tonë, është jahti motorik më i madh në botë për nga tonazhi bruto, dhe zakonisht drejtohet nga një ekuipazh prej 96 personash. Dilbar krenohet me pishinën më të madhe të instaluar ndonjëherë në një jaht, si dhe me dy helikopterë, një sauna, një sallon bukurie dhe një palestër. Brendësia e saj prej pellushi ka më shumë se 1000 jastëkë divanesh dhe mund të presë deri në 24 persona në 12 suita.

SHKARKO APP