Gjermania investon 536 milionë euro për dronë kamikazë
Qeveria gjermane planifikon të investojë 536 milionë euro për blerjen e dronëve sulmues nga startup-et vendase Helsing dhe Stark Defence, në një hap të ri drejt forcimit të kapaciteteve ushtarake pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Sipas raportimit të The Economic Times, kontratat për këta dronë ajrorë pa pilot – të njohur si “dronë kamikazë” për shkak të aftësisë së tyre për të qëndruar pezull mbi objektiv përpara se të godasin – janë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë kornizë me vlerë 4.3 miliardë euro.
Dokumentet e siguruara nga Reuters tregojnë se marrëveshjet pritet të marrin miratimin formal nga Komisioni i Buxhetit i Bundestagut, dhoma e ulët e parlamentit gjerman. Lajmi u raportua fillimisht nga revista Spiegel.
Dronët do të përdoren fillimisht për të mbështetur Brigadën e 45-të të Tankeve të Gjermanisë, e cila është e dislokuar në Lituani, në kuadër të forcimit të krahut lindor të NATO-s.
Kontratat me dy kompanitë parashikohen të kenë një afat shtatëvjeçar, ndërsa dërgesa e parë e dronëve pritet të realizohet në fillim të vitit 2027.
Ky vendim konsiderohet pjesë e strategjisë së Berlinit për modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e kontributit në mbrojtjen kolektive të NATO-s.
KOHA JONË SONDAZH

