Gjukanoviç: Protestat në Mal të Zi, po kurdisen në Serbi

 

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi se qeveria e tij nuk do të dorëhiqet ashtu siç kërkoi në fakt Fronti Demokratik opozitar në protestat e së shtunës.

Ai tha gjithashtu se qeveria e Malit të Zi ka legjitimitet të plotë, duke përsëritur se protestat e FD-së kanë përkrahjen e qarqeve të caktuara nacionaliste në Serbi, të afërta me Vojislav Koshtunicën.

“Kishit kohë të mjaftueshme për t'u vërtetuar se secilës çështje ne i qasemi shumë seriozisht dhe se çdo përgjigje e qeverisë së Malit të Zi është e menduar mirë. Ne kemi pranuar iniciativën për dorëheqjen e qeverisë të cilën e kemi shqyrtuar dhe refuzuar, sepse ne mendojmë se qeveria është zgjedhur në zgjedhje të rregullta dhe demokratike, të cilat janë vlerësuar si të tilla nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë", tha Gjukanoviç.

Në pyetjen nëse vallë protestat e FD-së ndihmohen nga Serbia, Gjukanoviç tha se kreu i atij shteti nuk punon kundër Malit të Zi, por se protestat përkrahen nga qarqe të caktuara nacionaliste në Serbi, të afërta me Vojislav Koshtunicën.

“Është e vërtëtë se kam thënë se qarqe të caktuara politike në Serbi në mënyrë të hapur ndihmojnë organizimin e protestës në Mal të Zi dhe ata i kam emëruar shumë qartë. Bëhet fjalë për një vazhdimësi të politikës të disa qarqeve nacionaliste të tubuar rreth Vojislav Koshtunicës, të cilët punuan shumë që Mali i Zi të mos fitojë pavarësinë“, tha ai.

 Protestat  e FD-së do të vazhdojnë të shtunën, ndërsa të ato të mbajtura më 18 dhe 19 tetor në Podgoricë u shoqëruan me dhunë dhe përleshje mes policisë dhe demonstruesve.

SHKARKO APP