Gjyqi në Senat ndaj Donald Trump nis javën e ardhshme
Gjyqi në Senatin amerikan ndaj Donald Trump për rolin e tij në trazirat e 6 janarit do të nisë javën e ardhshme. Njoftimi për procesin “impeachment” është bërë nga demokratët. Të hënën, Dhoma e Përfaqësuesve do t’i dërgojë Senatit akuzën për shkarkimin dhe ngarkimin e Trump me vepër penale, duke nisur kështu procesin gjyqësor në dhomën me 100 anëtarë.
Republikanët kanë kundërshtuar dhe kërkojnë më shumë kohë për tu përgatitur. Ata propozuan fillimin e shkurtit si datë të mundshme. Ish presidenti Trump u largua nga Uashingtoni për në Florida pas përfundimit të mandatit, duke shmangur pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit të pasuesit të tij, Joe Biden. Përpara inaugurimit, Dhoma e Përfaqësuesve akuzoi zyrtarisht 74-vjeçarin republikan për nxitje të trazirave të dhunshme në Kongresin Amerikan ku humbën jetën disa persona.
Nëse dënohet, Trumpit mund t’i hiqet e drejta për të kandiduar për president në zgjedhjet e ardhshme. Thirrjet e tij në tubimin para dhunës së 6 janarit janë në qendër të kësaj çështjeje. Gjyqi në Senat do të jetë i vetmi i zhvilluar ndonjëherë pasi një presidenti amerikan është larguar nga detyra. Që Trump të shpallet fajtor do të duhet që 17 republikanët i bashkohen votës së demokratëvë kundër tij.