Grekët në protestë kundër ndërtimit të kampeve të reja për emigrantët
Në Greqi vijojnë protestat e banorëve në dy ishuj në lindje të Greqisë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të reja për ndalimin e emigrantëve. Si pasojë e protestave të fundit mediat ndërkombëtare raportojnë se dhjetëra policë grekë janë lënduar në përpjekje për të ndalur protestat e banorëve.
Ishujt e Detit Egje të Greqisë janë një pikë kryesore e hyrjes për migrantët që kërkojnë jetë më të mirë në Bashkimin Evropian. Menaxhimi i fluksit të migrantëve – dhe pakënaqësia në rritje midis banorëve të ishujve grekë po bëhet një sfidë për qeverinë e qendrës së djathtë në Athinë.
Autoritetet lokale shpallën një grevë 24-orëshe dhe organizuan protesta në ishujt Lesbos dhe Chios, për të protestuar kundër planeve të qeverisë, për ndërtimin e qendrave të reja të paraburgimit si zëvendësim për kampet ekzistuese.
Ishulli Lesbos, dhe në një masë më të vogël Chios, çdo vit pranojnë dhjetëra mijëra njerëz që shpëtojnë nga lufta ose varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë. Emigrantët kalojnë nga brigjet e afërt turke me anije të vogla, të siguruara kryesisht nga kontrabanduesit.
Sipas një marrëveshje të vitit 2016 midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë, migrantët që arrijnë në ishuj, duhet të qëndrojnë atje derisa të përpunohen kërkesat e tyre për azil dhe nëse këto refuzohen, ata duhet të kthehen në Turqi.
Por, vonesat në procesin e azilit, shoqëruar me fluks të rritur migrantësh, çuan në një përkeqësim të kushteve të jetesës në kampet ekzistuese. Lesbos, me një popullsi të përhershme prej 85,000 banorësh, tani ka më shumë se 21,000 migrantë, sipas të dhënave zyrtare.
Ndërkohë vitin e kaluar rreth 60,000 emigrantë dhe refugjatë mbërritën në ishujt Grek një numër që është dyfishuar sipas Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, më 2018./abcnews.al