Greqi: 15 viktima pas përplasjes mes anijes së Rojës Bregdetare dhe një varke me emigrantë
Të paktën 15 persona humbën jetën si pasojë e një përplasjeje detare mes një anijeje të Rojës Bregdetare dhe një motoskafi që transportonte emigrantë pa dokumente, pranë ishullit grek të Kiosit. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, në zonën detare të Mersinidit, në Vrontados, në pjesën lindore të ishullit.
Sipas autoriteteve, nga deti u nxorën 14 trupa të pajetë, përfshirë 11 burra dhe tre gra. Një grua tjetër u gjet në gjendje kritike dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit, ku më vonë ndërroi jetë. Përveç viktimave, dhjetëra persona të tjerë u plagosën si pasojë e incidentit.
Në spital u shtruan gjithsej 24 të plagosur, mes tyre shtatë burra, gjashtë gra dhe 11 fëmijë. Tre prej të lënduarve iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të dëmtimeve serioze në organe jetësore. Gjithashtu, dy gra shtatzëna do t’i nënshtrohen operacioneve, pasi mjekët konfirmuan se fetuset nuk kishin mbijetuar.
Nga ana tjetër, edhe dy oficerë të Rojës Bregdetare që ndodheshin në bordin e anijes u plagosën lehtë gjatë përplasjes. Njëri prej tyre pësoi dëmtime në gjymtyrët e sipërme, ndërsa tjetra një tronditje të lehtë në kokë. Të dy u transportuan në spital për ndihmën e parë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën detare vijuan gjatë gjithë natës dhe autoritetet njoftuan se do të intensifikohen për të lokalizuar persona të mundshëm të zhdukur. Deri më tani, numri i saktë i emigrantëve dhe refugjatëve që ndodheshin në motoskaf nuk është bërë ende i ditur.
KOHA JONË SONDAZH

